Shqipëria vazhdon të jetë pa trajner, ndonëse Duka ka takuar Esteban Cambiason dhe ka hyrë fort në lojë kolumbiani Reinaldo Rueda. Dilemë e madhe dhe pak keqardhje kur mendon se Kombëtarja kuqezi po përgatitet për fushatën eliminatore të “Euro 2024”.

Katër ndeshje miqësore që pati në dispozicion gjatë tetorit dhe nëntorit i “harxhoi” me Edy Rejën, ndërkohë që mund t’i kishin shërbyer trajnerit të ri për të njohur më mirë skuadrën.

Përveç emrit të trajnerit, dilema tjetër është edhe se sa do të paguhet pasardhësi i Rejës. As kjo nuk dihet…Por qeveria i ka ardhur në ndihmë FSHF-së duke i akorduar një fond prej 700 milionë lekësh të vjetër. Vendimi është zyrtarizuar më 18 dhjetor.

Gazeta “Panorama Sport” u interesua të kuptonte arsyen e dhënies së këtij fondi duke pyetur zyrtarisht në FSHF, në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Sporteve, por deri dje nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

CAMBIASO FAVORIT… Pak shanse ka që të jetë Ilir Daja ose Besnik Hasi trajneri i ri, ndonëse Duka i ka përmendur për kortezi dhe për pak “propagandë” në opinionin sportiv.

Kreu i FSHF-së, që ka edhe ekskluzivitetin e zgjedhjes së trajnerëve, me shumë mundësi do të zgjedhë një të huaj dhe burime pranë federatës bëjnë me dije se argjentinasi Kambiaso është deri tani në krye të listës.

Nuk dihet nëse darka me Dukën, një pëlqim i kryeministrit Rama, apo një telefonatë e Mourinhos, i kanë rritur kuotat ish-mesfushorit të Realit dhe Interit, por deri tani ai ka “fituar” më shumë pikë.

Asgjë nuk është zyrtare, sepse mund të ketë ndonjë emër surprizë, por e sigurt është që tani FSHF-ja ka ca më tepër para për rrogën e trajnerit.

BRAÇE PA PËRGJIGJE Deputeti i PS-së, Erion Braçe, i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë e ka pyetur direkt ministren Ibrahimaj se për çfarë arsyeje po i jepeshin FSHF-së këto 70 milionë lekë të reja, por nuk mori një përgjigje të saktë dhe e vetmja gjë që iu tha ishte se fondi do të vihej në mbështetje të ekipit kombëtar.

Institucionet kanë heshtur deri tani dhe po përflitet se këto para mund të jenë pikërisht për trajnerin e ardhshëm.

Nëse vërtet ndodh kështu, atëherë i bie që në përzgjedhjen e tij të ketë “aksione” edhe qeveria. Nëse vërtet ndodh kështu, atëherë kemi hyrë në një fazë të re revolucionare edhe në sport… Të presim dhe të shohim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb