TIRANE- Këshilli i Ministrave në mbledhjen sotme vendosi lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës.

Gjithashtu qeveria vendosi miratimin, në parim, të programit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për vitet 2015-2018.

Një ndër vendimet ka të bërë me miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për bashkëpunim në fushat e shëndetit e mjekësisë.

Po kështu është vendosur shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit të Durrësit”.

Gjithashtu, qeveria vendosi miratimin e Profilit Kombëtar të Zgjeruar të Migracionit, për vitin 2014. Një vendim tjetër ka të bëjë me shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, “Mbi reciprocitetin e godinave ku akomodohen përfaqësia diplomatike e Republikës së Shqipërisë, në Pekin, dhe përfaqësia diplomatike e Republikës Popullore të Kinës, në Tiranë”, nënshkruar më 10.4.1960.

Ne mbledhjen e qeverise u vendos shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i infrastrukturës së bllokut 61, që kufizohet nga rruga “Qemal Stafa” dhe rruga e “Planit rregullues”, si dhe “Ndërtimi dhe mobilimi urban i sipërfaqeve të zonës 61/1”, në Bashkinë e Tiranës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb