TIRANE – Çdo ministër, zv/ministër apo zyrtar tjetër duke përfshirë kryebashkiakët, që marrin kontakt me të huaj duhet të raportojë me një relacion me shkrim në Ministrinë e Jashtme. Kjo sanksionohet në vendimin e fundit të qeverisë “Rama”, që hyri në fuqi dje pas botimit në Fletoren Zyrtare. Akti daton 9 shtator, por është mbajtur i fshehtë nga qeveria, pasi nuk është publikuar bashkë me vendimet e tjera të asaj dite. Ai zbardhet vetëm sot që është botuar në Fletoren Zyrtare.

PERMBAJTJA
Sipas këtij vendimi, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati do të koordinojë çdo veprimtari të marrëdhë-nieve me jashtë të të gjitha institucioneve. Madje, edhe për të kryer vizita jashtë Shqipërisë, ministrat duhet të marrin leje me shkrim te MPJ dhe më pas vetë kryeministri. Jo vetëm kaq: për çdo intervistë apo qëndrim publik për çështje politike që japin ministrat, zv/ministrat, bashkiakët dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve duhet të konsultohen paraprakisht me MPJ. Psh, nëse ka një problem patatesh ose rrushi me Kosovën, ministri Panariti duhet të marrë lejen e Bushatit. Nëse duhet të flasë për shkëmbimet kulturore Tiranë-Prishtinë, ministrja Mirela Kumbaro duhet të konsultohet paraprakisht me MPJ-në. Po kështu, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha nuk mund të shprehet “pro” bashkëpunimit të qeverisë me OSBE-në pa marrë lejen e Bushatit. Sepse vendimi i bërë publik dje sanksionon pikërisht që asnjë deklarim publik, asnjë kontakt me ambasadorë, asnjë vizitë zyrtare, nuk duhet bërë pa u konsultuar me MPJ-në. Ka akoma: asnjë ministri nuk mund të ketë korrespondencë direkte me ambasadat e huaja në Tiranë, sepse ajo duhet të realizohet nëpërmjet MPJ-së. Tjetër: asnjë ftesë zyrtare nuk mund të realizohet pa u konsultuar më parë me MPJ-në. Nëse Ilir Meta ka dëshirë të ftojë për vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij të Kuvendit të Kosovës, ai duhet të marrë më parë lejen e MPJ-së. Të gjitha këto sanksionohen në vendimin e qeverisë së miratuar më 9 shtator, por që u bë publik vetëm dje. “Gazeta Shqiptare” boton pjesë integrale të këtij vendimi.

Nr. 734, datë 9.9.2015
PËR RREGULLIMIN E VEPRIMTARISË ME JASHTË TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe
me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI

n Ministrat e zëvendësministrat, drejtuesit e institucioneve qendrore në varësi të kryeministrit e të ministrave, drejtuesit e institucioneve të tjera të administratës shtetërore dhe të organeve të pushtetit vendor, në deklaratat verbale e të shkruara dhe intervistat për probleme të rëndësishme të marrëdhënieve me jashtë duhet të jenë në përputhje me programin e qeverisë për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Për çështje të politikës së jashtme të një rëndësie të veçantë, funksionarët e lartpërmendur, në deklarimet e tyre publike duhet të konsultohen paraprakisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
n Të gjithë këta funksionarë, në korrespondencën me ambasadorë e përfaqësues të tjerë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për çështje me karakter politik ose me rëndësi për
marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë me shtetet e tjera apo organizatat ndërkombëtare, duhet të njoftojnë paraprakisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila jep me shkrim mendimin e saj për qëndrimin që duhet mbajtur.
n Të gjithë këta funksionarë, për veprimtaritë ku marrin pjesë dhe bisedimet që realizojnë me personalitete të huaja, brenda dhe jashtë vendit, të dërgojnë, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga data e përfundimit të veprimtarisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Kryeministri një relacion. Relacioni duhet të përmbajë të dhënat për qëllimin dhe objektin e veprimtarisë, për ecurinë e bisedimeve dhe për rekomandimet përkatëse për çështjet e diskutuara.
n Të gjithë këta funksionarë e realizojnë korrespondencën e tyre zyrtare me misionet diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme.
n Vizitat zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit zhvillohen me miratimin e Kryeministrit, pasi ministri i Punëve të Jashtme të jetë shprehur me shkrim. Kërkesa për miratimin e vizitës i drejtohet njëkohësisht, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Anëtarët e Këshillit të Ministrave brenda çdo tremujori paraqesin me shkrim pranë kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme planin e vizitave jashtë vendit për tremujorin në vazhdim.
n Të gjithë këta funksionarë nuk mund të pranojnë ose të refuzojnë ftesa zyrtare nga homologët e tyre si dhe nuk mund të dërgojnë ftesa zyrtare, pa u këshilluar më parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
n Ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit e të ministrave, institucionet e tjera të administratës shtetërore dhe organet e pushtetit vendor në ushtrimin e veprimtarisë me jashtë, kanë për detyrë:
a) të njoftojnë menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme për çështjet në fushën e marrëdhënieve me jashtë, që trajtohen gjatë takimeve të drejtuesve të institucionit me përfaqësues të trupit diplomatik të shteteve dhe me përfaqësues të organizatave
ndërkombëtare, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, apo në letrat dhe mesazhet që autoritete të huaja i dërgojnë drejtuesit të institucionit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb