Qeveria britanike vlerëson se është e domosdoshme të ratifikohet marrëveshja e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian para pushimeve verore që zakonisht fillojnë në mesin e muajit korrik.
Gati tre vjet pasi qytetarët britanikë votuan pro daljes së vendit nga Bashkimi Evropian, ende nuk ka një pajtim midis politikanëve britanikë se kur dhe si do të ndodhë ky proces.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.
Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt tha se liderët e BE-së, nuk dëshirojnë sërish zgjatjen e afatit.

Qeveria britanike po vazhdon bisedimet me opozitën për të arritur një pajtim lidhur me miratimin e marrëveshjes nga ana e parlamentit.
“Ministrat e përfshirë në negociata kanë përcaktuar detajet e kompromiseve që qeveria është e gatshme të bëjë për të miratuar një marrëveshje që do t’i lejonte Britanisë së Madhe të linte BE-në me një marrëveshje sa më parë të jetë e mundur”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb