Plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar emigrantët e paligjshëm që kanë kërkuar azil në vend për në Ruandë të martën e ardhshme, është goditur nga një “bombë” ligjore e minutës së fundit.

Mediat vendase raportojnë se aktivistët e majtë dhe sindikata e Forcave Kufitare e kanë futur projektligjin kryesor të paketës për emigracionin në kaos, duke kërkuar një përballje të re në Gjykatën e Lartë me qeverinë e Boris Johnson.

Sindikata e Shërbimeve Publike dhe Tregtare iu bashkua Care4Calais dhe Aksionit të Paraburgimit për të ndalur fluturimin, që parashikonte të çonte deri në 130 emigrantë këtë të martë në Kigali.

Konservatorët u goditën pasi aktivistët e mbështetur nga lideri laburist Keir Starmer u zbulua se qëndronin pas lëvizjes për të ndaluar fluturimin dhe për të nisur një rishikim të marrëveshjes së qeverisë.

Burime nga Ministria e Brendshme në Britani i kanë bërë me dije DailyMail se shanset që fluturimet të realizohen siç ishte planifikuar tani janë “shumë, shumë të ulëta” dhe ka shumë mundësi që një gjykatës të urdhërojë ndalimin e fluturimeve.

Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme Priti Patel ka urdhëruar ekipin e saj të punojë gjatë gjithë kohës për të provuar se plani është ligjërisht i shëndoshë.

Vlen të theksohet se në kampet ku mbahen emigrantët e paligjshëm, të cilët ndjekin procesin e tyre si azilkërkues në Britaninë e Madhe ndodhen qindra të rinj shqiptarë, që e kanë shprehur më herët shqetësimin për planin Patel edhe me denoncime në media.

Pas këtij ngërçi në ekzekutimin e planit të qeverisë konservatore për të “hequr qafe” pjesën më të madhe të azilkërkuesve duke i dërguar në Afrikë, edhe fati i shtetasve shqiptarë që kalojnë ilegalisht me kamion apo gomone drejt ishullit mbetet i paqartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb