Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me mjekë dhe specialistë të fushës së bashku me departamentin e shëndetësisë në PD, me të cilët bisedoi për situatën e epidemisë në vend, dhe shtimin e rasteve me Covid 19.

Për Bashën qeveria ka dështuar me menaxhimin e situatës duke cuar dëm 3 muaj izolim të shqiptarëve.
“Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qëndrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo.” U shpreh Basha, ndërsa thekson se qeveria Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme.

Deklarata e plotë:
Situata për sa i përket përhapjes së COVID-19, ka dalë jashtë kontrollit. Numri i të infektuarve po rritet çdo ditë. Me dhjetra ankesa vijnë nga famijarë, të cilëve iu është identifikuar një pjesëtar si i infektuar, ndërsa atyre nuk u bëjnë tamponin, duke zgjeruar kështu zinxhirin e infeksionit.
Këto shqetësime ndava me mjekë dhe specialistë të fushës së bashku me departamentin e shëndetësisë në PD.
Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike.
Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qëndrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve.
Dështimi i kësaj politike të papërgjegjshme demonstrohet në numrin gjithnjë e më në rritje të të prekurve, të atyre që ndërrojnë jetë dhe të spitaleve që janë kthyer në vatra infeksioni. Mjekët, heronjtë e vërtetë të kësaj beteje, janë viktimat e kësaj papërgjegjshmërie ekstreme. Viktimat e makutërisë së qeverisë janë shqiptaret, të cilët po vuajnë sot sa pasojat e COVID-19, aq edhe RAMAVIRUSIN në ekonomi.
Kemi që në mars që presim përgjigje për këto pyetje:
– Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre?
– Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit?
– A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira?
– A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?
Sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit.
Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike.
Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme.
E gjithë vëmendja dhe kujdesi i qeverive të përgjegjshme sot në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomike dhe parashikimi e shtimi i kapaciteteve. Vetëm qeveria e Edi Ramës e ka mendjen tek tenderat e PPP korruptive, për të cilat vazhdon të japë fonde, duke i lënë shëndetësinë dhe shqiptarët të vetëm përballë virusit dhe krizës ekonomike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb