TIRANE- Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri që pritet të reformojë transportin rrugor në vend.

Me shtesat dhe ndryshimet e parashikuara në projektligj synohet përmirësimi i veprimtarisë në transportin e udhëtarëve brenda vendit, përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e BE-së dhe përditësimi i legjislacionit me aktet e reja që kanë hyrë në fuqi.

Autoriteti përgjegjës për miratimin e rrjetit të linjave ndërqytetase është ministri i Transportit, ndërsa për rrjetin e linjave rrethqytetase është këshilli i qeverisjes vendore ose i qarkut. Në ndryshim nga ligji ekzistues në një nen të veçantë të p/aktit është parashikuar që ndryshimet në rrjetin e linjave mund të bëhen çdo 3 vjet.

Projektakti paraqet përparësi lidhur me transportin e udhëtarëve ndërqytetas, rrethqytetas, ku kriteret për miratimin e linjave, përkufizimet e llojeve të linjave, në të cilat kryhet ky transport janë shprehur qartë për të shmangur çdo keqkuptim.

Projektakti paraqet përparësi se në të parashikohen dispozita për stacionin e autobusëve të udhëtarëve, sistemin e biletimit dhe Regjistrin Kombëtar të Transportit Rrugor, si dhe hartimin e akteve nënligjore në zbatim. Aktualisht, nuk ka asnjë akt, i cili të parashikojë dispozita lidhur me Regjistrin Kombëtar të Transportit Rrugor, stacionet e autobusëve dhe sistemin e biletimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb