Qeveria e Katarit i ka miratuar një grant 11 milionë euro Bashkisë së Tiranës për realizimin e sheshit fundor në Bulevardin e Ri. Lajmin e mirë e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë takimit me ambasadorin e Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al-Marri.

“Sot kemi marrë një super lajm të mirë nga nga Katari, për të cilin i shpreh mirënjohjen time Emirit të Katarit, Shkëlqesisë së tij Al Thani, por edhe mikut tonë, ambasadorit Al Marri. Qeveria e Katarit na ka akorduar një grant prej 11 milionë eurosh për sheshin përfundimtar te “Bulevardi i Ri”, një shesh që do të jetë një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë së Katarit, i projektuar nga studio Grimshaë, që mbyll në mënyrë solemne “Bulevardin e Ri”, aty ku ndahemi me Kamzën. Jam vërtet shumë Mirënjohës sepse është një projekt që ka nevojë për atë që quhet ‘qershia mbi tortë’, për një mbyllje ceremoniale”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se ky financim vjen në vazhdën e disa projekteve të tjera nga shteti mik i Katarit, qoftë pas tërmetit, qoftë për rindërtimin e disa shkollave dhe kopshteve në Tiranë. “E filluam me shkollën “Jeronim de Rada”, pastaj vazhduam me shkollën “Lasgush Poradeci”, shkollën e Katarit në Kombinat, vijuam me shkollat në Pezë, me kopshtin e Katarit në mes të Tiranës, në Bllok, dhe më vjen vërtet mirë që sot marrim këtë lajm të jashtëzakonshëm, që për sheshin e Katarit, që kemi kaq kohë që punojmë dhe kemi kaq kohë që përpiqemi, më në fund kemi një përgjigje pozitive,” deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se me këtë shesh të ri, në një zonë po ashtu të re si Bulevardi i Ri, merr formë Tirana e shekullit të ardhshëm.

“Besoj fort se do të lemë një shenjë që do të jetë aty përtej mandateve tona. Ndaj, ju jam vërtet shumë mirënjohës, Emirit të Katarit, Fondit të Katarit për Zhvillim dhe gjithë miqve të përbashkët. Ashtu siç kemi bërë punë cilësore për shkollat dhe për kopshtet, më vjen mirë që do të kemi vërtet një punë monumentale në Bulevardin e ri të Tiranës, ku praktikisht do të marrë formë Tirana e 100 viteve që vijnë. Aty kemi parashikuar të ndërtojmë bashkinë e re, kemi parashikuar të kalojnë gjykatat, Prokuroria dhe disa nga ndërtesat e rëndësishme si Pallati i ri Koncerteve, apo Muzeu i Artit Modern, dhe mbyllja me atë shesh spektakolar të Katarit besoj se do të jetë vërtet përgjigja e merituar për të gjithë këtë përpjekje të përbashkët për Tiranën, që ecën përpara dhe që modernizohet përditë”, tha Veliaj.

Sheshi i ri do ndërtohet në pjesën fundore të Bulevardit të Ri, përgjatë Lumit të Tiranës, dhe do të ketë disa hapësira pedonale për qytetarët. Po ashtu, do të krijohen parqe në të dyja anët e lumit, si dhe hapësira të tjera çlodhëse e argëtuese për fëmijët dhe të rriturit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb