PRISHTINË- Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se mosmiratimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës i ndryshimeve kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk i shërben interesave madhore të Kosovës.

Në një njoftim për shtyp të të qeverisë theksohet se “qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij detyrimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo dështim për përmbushjen e detyrimeve nga ana e institucioneve tona, e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se, pas konsultimeve me ekspertë juridikë, ka ftuar për sot mbledhjen e qeverisë së Kosovës për të proceduar me zgjidhje të caktuara.

“Jemi përcaktuar që të ndërtojmë një shtet me perspektivë evropiane dhe euroatlantike. Në këtë proces ne do të tregojmë seriozitetin tonë për përmbushje të marrëveshjeve ndërkombëtare të aprovuara në Kuvendin e Kosovës, e të cilat kanë fuqi të veçantë kushtetuese”, është shprehur ai në ‘Facebook’.

Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.

Mungonin së paku 5 vota për miratim. Ndërsa më shumë se 5 mungonin votat pro të deputetëve nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK – 7 ishin kundër e 2 abstenuan.

Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.

Bashkimi Evropian është njoftuar për votimin negativ të Kuvendit të Kosovë, deklaroi mbrëmë Shefi i Zyrës së BE-së/PPBE Samuel Zhbogar lidhur me ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Dhomave të Posaçme.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin e seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës. Në këtë mënyrë BE-ja do të vazhdojë të punojë me institucionet e Kosovës përkitazi me konfirmimin e zotimeve që dalin nga Letër këmbimet 2014”, theksonte Zhbogar në deklaratën e sdërguar nga Zyra e BE në Kosovë.

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se debati i djeshëm në Kuvendin e Kosovës dhe mosmiratimi i amendamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale domosdo Kosovën e fut në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme.

“Megjithë zotimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfundimin e këtij procesi, sot doli një përgjigje tjetër nga Kuvendi i Kosovës. Kjo tregon se nuk kishte një përgatitje serioze dhe thellësisht të pjekur për këtë proces. Po kështu, kjo dëshmon brishtësinë e funksionimit institucional”, është shprehur ai.

“Kosovës i nevojitet hap i vendosur dhe i arsyeshëm për të gjetur formulën më të mirë të kapërcimit të kësaj situate. Sigurisht se variantet mund të jenë të shumta. Por, para së gjithash Kosovës i nevojitet një unitet nacional dhe qytetar dhe veprime shumë të vendosura për të zhvilluar partneritet të sinqertë , në radhë të parë brenda gjithë forcave politike të vendit dhe paralelisht një partneritet të fuqishëm e të sinqertë me miqtë e dëshmuar të Kosovës”, ka shkruar në ‘Facebook”, Fatmir Sejdiu, i cili si President i vendit ka udhëhequr Ekipin e Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, të ndërmjetësuara nga Kryenegociatori Martti Ahtisaari – Emisari Special i OKB-së.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: