Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 18 gusht ka miratuar masat e reja të kufizimit në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ditët e fundit është shënuar rritje enorme e rasteve me COVID-19 dhe varianti Delta tashmë po mbizotëron rastet e të infektuarve.

Vitia tha se në bazë të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore po vendosen masat e reja të kufizimit, pasi kapacitetet e spitaleve janë të kufizuara.

Ministri tha se nga data 20 gusht mbyllen klubet e natës si dhe ndalohet organizimi i dasmave. Një masë tjetër është shkurtimi i orarit të punës deri në 22:30 për bizneset e gastronomisë, pasi që vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Në bazë të vendimit të ri qytetarëve nga vendet me rrezikshmëri të lartë, përfshirë qytetarët e vendit që vijnë nga ato vende do t’iu kërkohet testi negativ, certifikata e vaksinimit ose testi serologjik. Ministri nuk bëri të ditur se cilat vende janë të përfshira në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë. Masat do të vlejnë deri më 1 shtator, por sipas ministrit Vitia, varianti Delta e bën të paparashikueshme situatën.

Ministri tha se detajet e këtij vendimi do të publikohen ndërkohë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe vendimin për rritjen e stafit shëndëtsorë që do të merren me menaxhimin e pandemisë dhe procesin e imunizimit.

Angazhimi i 1116 punëtorëve shtesë pritet të bëhet brenda 10 deri 14 ditësh, tha ministri i Shëndetësisë.

Kryeministri Kurti bëri thirrje për vaksinim duke përmendur faktin se nuk është shënuar asnjë vdekje me variantin Delta nga pacientët që kanë qenë të vaksinuar.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të mërkurën (18 gusht) se janë regjistruar edhe katër viktima nga koronavirusi i ri.

Bazuar në 10.258 mostra të testuara, pozitivë në koronavirus kanë dalë 2.110 persona. Kthyer në përqindje del se nga numri i testimeve 20 për qind kanë dalë pozitivë.

Aktualisht raste aktive në Kosovë janë 12.159. Sipas njoftimi, në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 130 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 106.408.

Kosova e ka nisur procesin e imunizimit në muajin mars. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë 622.068 doza të vaksinës.

Deri më 18 gusht 215.329 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Më herët, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka thënë se në spitalet e përgjithshme në Kosovë si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit, janë të shtrirë 575 pacientë, prej tyre 468 me koronavirus.

Sipas SHSKUK-së, 29 pacientë janë në gjendje të rëndë dhe 418 po trajtohen me oksigjenorapi.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb