PRISHTINE-Qeveria e Kosovës miratoi sot strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm për periudhën 2015-2020.

Sipas kryeministrit Isa Mustafa me këtë strategji, miratimin e ligjit për pjesëmarrjen në konflikte të huaja, kërkesën për anëtarësim në INTERPOL dhe kërkesën për bashkëpunim me të ngushtë me EUROPOL-in, Kosova do të bëhet anëtare e aleancës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Strategjia e miratuar nga kabineti qeveritar, është diskutuar edhe në Këshillin për Siguri të Kosovës, pasi sipas kryeministrit Mustafa, është një procedurë e paraparë me ligj që të bëhet, ku duhet të njoftohet presidentja, sepse kështu e parasheh ligji.

Mustafa tha se në Këshillin për Siguri strategjia ka marrë mbështetjen e plotë dhe nuk ka pasur vërejtje.

Për përgatitjen e kësaj strategjie, kreu i ekzekutivit tha se kanë marrë pjesë shumë subjekte, organet e qeverisë, përfaqësuesit e shoqërisë civile, përfaqësuesit e bashkësive fetare, komunitetit mysliman, kishës ortodokse serbe, katolike dhe bizneset.

“Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me faktorin ndërkombëtar, ambasadën amerikane, organizatave ndërkombëtare. Është bërë një punë mjaft e rëndësishme, konsideroj se me këtë strategji dhe ligjin për pjesëmarrjen e njerëzve tanë në konflikte jashtë, me kërkesën tonë që të bëhemi anëtarë të INTERPOL-it, me kërkesën për bashkëpunim të ngushtë me EUROPOL-in, ne do të bëhemi anëtarë te aleancës botërore kundër ekstremizmit dhe terrorizmit ,i cili sot po duket çfarë pasojash po ka”, tha Mustafa.

Ndërsa, duke prezantuar projekt-strategjinë para kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha se ngjarjet që kanë ndodhur vitet e fundit në Kosovë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe me gjerë e kanë bërë të domosdoshme që Kosova të hartoj një strategji përmes së cilave do të merren masat për forcimin e qëndrueshmërinë e shtetit dhe shoqërisë përball kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Shala, tha se për të eliminuar vërtetë kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi duhet të përcaktojmë faktorët të cilët e shkaktojnë atë në Kosovë.

Kabineti qeveritar në këtë mbledhje ka emëruar Jeton Shalën kryeshef të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, pasi ishte i preferuari i Ministrisë.

Po ashtu janë emëruar edhe anëtarët e bordit të Hekurudhave të Kosovës TrainKos, SH. A. Kryesues është zgjedhur Sadik Kryeziu, ndërsa anëtarë Naim Gashi, Labinot Halilaj, Bujar Hasimi, Nusri Sallahu dhe Mustafa Mustafa.

Ndërsa, në bordin e Ibër Lepencit janë zgjedhur, kryesues Fatos Sahiti, ndërsa anëtarë Bashkim Shabani, Albiona Maloku, Mërgim Lushtaku, Ymer Hamiti, ndërsa një pozitë mbetet të plotësohet me një anëtar nga pakicat.

Po ashtu qeveria ka miratuar propozim vendimin për shpronësimet që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe ato që prekën nga ndërtesat e përhershme të menaxhimit të integruar.

Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për këtë vit për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik lidhur me çështjen e ngritur nga Kompania “ACT Axos Capital” për procesin e privatizimit të PTK-së.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: