Partitë e pakicave janë të ndara rreth pjesëmarrjes së tyre në qeverinë e ardhshme të Malit të Zi, e cila pritet të formohet së shpejti nga tre partnerët kryesorë: koalicionet “Për të ardhmen e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza në të bardhë”, të cilët në zgjedhjet e 30 gushtit fituan shumicën.

Ndonëse ka marrë ftesë për bisedime me të mandatuarin për formimin e qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq, Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” nuk është takuar, por përmes një përgjigje me shkrim, të firmosur nga bartësi i listës dhe deputeti i këtij koalicioni, Fatmir Gjeka, e ka bërë të ditur qëndrimin e tij.

“Ne nuk mund të jemi pjesë e Qeverisë së Malit të Zi të cilën në mënyrë dominuese e përbëjnë ato parti dhe politika të cilat nuk dëshirojnë barazinë e shqiptarëve në këtë shtet dhe me të cilat dallojmë në mënyrë diametrale në aspektin programor dhe strategjik”, thuhet në përgjigjen e tij, duke renditur edhe një varg arsyesh të tjera.

Edhe Partia Boshnjake, e cila ka zhvilluar takim me zotin Krivokapiq, ka vendosur të mos jetë pjesë e qeverisë së re. Këshilli Qendror i kësaj partie ka vendosur njëzëri kundër hyrjes në qeverinë e re me arsyetimin se në këtë moment politik vlerëson se nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë, por edhe për shkak të qasjes së ndryshme dhe dallimeve të caktuara ideologjike me disa prej pjesëtarëve të qeverisë së ardhshme.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Listës Shqiptare, pas takimit që kanë zhvilluar me mandatorin Zdravko Krivokapiq kanë publikuar kërkesat që i janë dorëzuar atij, duke thënë se ato janë kusht për pjesëmarrjen e tyre në Qeverinë e re të Malit të Zi.

Bartësi dhe deputeti i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se disa nga kërkesat kryesore që janë të përfshira në platformën politike të këtij koalicioni bashkë me platformën ia kanë dorëzuar të mandatuarit për formimin e Qeverisë, Zdravko Krivokapiq.

Sipas tij, në këtë dokument të Listës Shqiptare përfshihen kërkesat që paraqesin kushtet për përfshirjen potenciale të Listës Shqiptare në qeverinë e ardhshme të Malit të Zi. Megjithatë, nuk dihet nëse këto kërkesa janë të pranueshme dhe nëse Lista Shqiptare do të jetë pjesë e qeverisë.

Në qeverinë në detyrë të Malit të Zi, të gjitha partitë e pakicave që ishin të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi, kanë qenë pjesë e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: