Qeveria e Maqedonisë së Veriu në seancën e djeshme miratoi një sërë masash të reja për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, në vlerë mbi 350 milionë euro.

Siç njoftoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, me këto mjete, mbështetja totale do të jetë për tejkalimin  më të lehtë të krizës në të gjitha sferat deri më tani arrin në 750 milionë euro.

Mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve, theksoi kryeministri, mbetet prioritet.

“Mesazhi kryesor sot është se ne nuk do të harrojmë askënd që  të përballet me pasojat e krizës. Së bashku do ta kalojmë krizën”, tha Kovaçevski në një konferencë për media pas seancës së rregullt të 88-të të qeverisë.

Kryeministri nënvizoi se duhet të ketë burime energjie, ngrohje dhe energji elektrike.

“Edhe një herë e menaxhojmë mirë buxhetin dhe ua kthejmë paratë qytetarëve, veçanërisht kategorive më të rrezikuara. Kemi bërë konsultime të thella me ekspertë, punëdhënës, oda ekonomike dhe pensionistë… Kemi finalizuar masat për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë, por nga sot do të punojmë edhe më me përkushtim për tejkalimin e krizës. Ne veprojmë me vendosmëri dhe marrim masa që zbusin krizën”, theksoi Kovaçevski.

Ai iu referua edhe mjeteve të siguruara nga ribalancimi i buxhetit, të cilat do të realizohen në periudhën e ardhshme.

Në konferencën për media në Qeveri ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bitiqi, ministrat e Ekonomisë dhe Financave, Kreshnik Bekteshi dhe Fatmir Besimi, si dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trenchevska.

Në këto kushte 42 mijë qytetarë, në ndihme sociale do të marrin nga 200 euro në 4 muajt e ardhshëm, ndërsa pensionistët do të kenë një shtesë prej 25 eurosh në muaj. Paketa përfshin subvencione edhe për faturat e energjisë elektrike për familjet dhe për kompanitë.

Ndërkohë 52 milionë euro do të shkojnë për bujqit. Parimi kryesor i paketës anti-krize është që kostot e produkteve të shportës të mos rriten më tej. Në dispozicion janë vënë edhe fonde për bizneset që kanë mungesë likuiditeti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb