Italia foli qartë dhe i dha një fitore historike Qendrës së Djathtë, të përbërë nga Fratelli d’Italia, Forza Italia dhe Lega Nord, me partinë e lideres Giorgia Meloni që kryeson bindshëm edhe brenda vetë koalicionit me mbi 26% të votave.

Me mandatet që janë ndarë si në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat, pikëpyetjet që ngrihen lidhen të gjitha me kabinetin e ri qeveritar që do të drejtojë Italinë në një kohë krizash dhe sfidash të mëdha.

Kryeministrja e re Giorgia Meloni i ka dërguar ndërkohë një mesazh të qartë aleatëve, duke thënë se “kompromise dhe përfshirje në lojëra s’do të ketë për qeverinë”.

Sipas mediave italiane, Meloni ka nxituar që të flasë me besnikët e saj për emrat që do të përfshijë në postet kyçe ministrore dhe direktivat janë që të rrëzohen pritshmëritë e Salvinit dhe ambiciet e Berlusconit, por gjithmonë duke shmangur krijimin e telasheve.

Edhe pse ajo ka nguruar të flasë publikisht për emrat, hipoteza të tilla si Ministria e Brendshme për Salvinin, apo presidenca e Senatit për Berluskonin nuk pritet të merren në konsideratë.

Liderja e Fdi pritet të mos dorëzohet përballë partnerëve të koalicionit për pikat e programit dhe për përmbushjen e premtimeve të pamundura, e as për kërkesat e ministrave për të krijuar probleme.

Ne jemi njerëz seriozë, ofrojmë bashkëpunim maksimal por kemi arritur deri këtu dhe nuk duam të humbasim fytyrën. Ministrat nuk shkojnë në qeveri për të fryrë llogaritë bankare”, besohet të ketë qenë mesazhi që Meloni u ka drejtuar të vetëve.

Dhe teksa flasim për Salvinin, duket se përjashtimi i tij nga postet qeveritare nuk është e keqja më e madhe për liderin kontrovers të Lega Nord, pasi zërat kundër tij në parti kanë nisur të dalin në pah, duke vendosur theksin te rezultati zhgënjyer me mbi 8.5% të votave të grumbulluara.

Kështu, ish-sekretari i Ligës së Veriut, Roberto Maroni, teksa ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve ka thënë se është koha për një lider të ri.

“Flitet për një kongres të jashtëzakonshëm të Lidhjes. Do të dija kë të zgjidhja si sekretar të ri. Por tani për tani nuk do të përmend asnjë emër”, shton më pas ai.

Ndërkohë, sa i përket qeverisë zërat janë se aleatëve të Fdi mund t’u jepet presidenca në Palazzo Madama, ndërsa Departamenti i Ekonomisë pritet t’i besohet një tekniku, ndoshta jo Panetës për të mos ndikuar mbi Bankën e Italisë dhe raportin me Bankën Qendrore Evropiane, pasi situata ekonomike është “jashtëzakonisht e vështirë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb