Intensifikohen bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së për të negociuar një bashkëqeverisje të mundshme. Nënkryetarët e BDI-së Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Nevzat Bejta pas takimit me përfaqësuesit e partisë së Zaevit, deklaruan se e kanë njoftuar palën tjetër me qëndrimet e tyre rreth gjuhës shqipe, reformave në gjyqësor ku përfshihet edhe Prokuroria Speciale, Raportin e Pribesë si dhe eurointegrimet. Arifi tha se është kërkuar edhe zbatimi i Platformës së Përbashkët të partive shqiptare.

Për ne ajo që është shumë e rëndësishme, vendosëm në tryezë prioritetet që lidhen me platformën e partive politike shqiptare dhe me pikat e panegociueshme të BDI-së; zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, realizimi i reformave të plota në drejtësi dhe integrimi i plotë i vendit në NATO dhe në BE. Mund ta konsideroi atmosferën shumë kontruktive kurse për sa i përket vendimeve përfundimtare, ata do t’i sjellë kryesia e BDI-së në krye me kryetarin Ali Ahmeti – deklaroi Teuta Arifi , nënkryetare e BDI-së, raporton Alsat M.

LSDM-ja u përfaqësua nga sekretari i përgjithshëm Oliver Spasovski, nënkryetarja Radmilla Shekerinska dhe Renata Deskoska. Shekerinska nuk bëri të ditur nëse do ta përkrahin platformën dhe zyrtarizmin e shqipes por deklaroi se konsultimet do të vazhdojnë si brenda partisë, ashtu edhe me partitë e tjera, deri sa të formohet një qëndrim për këto pika.

Këto takime dhe diskutime do të vazhdojnë. Diskutime zhvillohen në të dy partitë por vlerësojmë se qëllimi është i përbashkët që Maqedonia të dalë nga kjo krizë dhe sa më shpejt të ketë Qeveri. për secilën nga këto pyetje do të dalim me qëndrim megjithatë mendoj se duhet fillimisht të qartësohemi brenda partisë, para partive politike me të cilat bisedojmë dhe menjëherë do t’i deklarojmë edhe qëndrimet tona – tha Radmilla Shekerinska, zv/kryetare e LSDM-së. .

Ndërkohë që në vend zhvillohen negociata për formimin e Qeverisë, komisioneri evropian për zgjerimin Johanes Han pritet të arrijë në Shkup gjatë ditës së enjte. Pas pjesëmarrjes në takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të Ballkanit, Han pritet të takojë të gjitha palët e përfshira në situatën aktuale, pa precizuar nëse bëhet fjalë për takime me vetë liderët e partive.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: