Qeveri rioshe apo e përkohshme? Dilema qeveritare të kryetarit të vendit, që mediton mbi fatin e mbramë të një ekonomie që nuk po lulëzon, të një përplasjeje shoqërore që po bëhet gjithnjë dhe më e thepisur, të një qeverisjeje që po duket gjithnjë e më tepër e gremisur.

Kaleidoskopi i ministrave përfshin nga ata që kanë fjetur socialistë dhe janë gdhirë rilindas, ish-menaxherë të dështuar shërbimesh publike, deri te elifmatrakë delirantë që marrin barrë përtej supeve të tyre të brishta. Drejtorë që ashtu siç vijnë, ikin, më të pasur vetë, por me kokën në torbë dhe zero objektiva të realizuara dhe zero rezultate. Arrogantë, kokëbosh dhe të paaftë përfaqësojnë kakistokracinë në shfaqjen e saj empirike më të qashtër.

Kjo lloj qeverisjeje që flet me shenja fasadiste dhe përdor retorikë populiste, flirton nga ana tjetër me politika mbështetëse ndaj oligarkëve, duke thelluar pabarazinë në vend. Nga koncesionet e pakërkuara, te partneritetet pirat-plaçkistëse; nga mungesa e një vizioni apo filozofie në arsim te rrumpallë-shëndetësia gjoja falas, kjo qeveri fle mbi dafinat e pushtet-shpërdorimit, e përqendruar vetëm te teknikat më rishtare të spin-it manipulues në formën e një propagande bajate. Ka pak apo aspak ndjeshmëri për qytetar-mavrinë, të cilit i ngelen pak zgjidhje. Ose të ikë nga sytë këmbët përtej detit, ose të protestojë, ose të ngrohë vezët në pritje të lajmeve përherë dhe më të tharta.

Ulet papunësia – kumton ministri në ikje, ndërkohë që mbi 300 mijë shqiptarë kanë çarë ferrën për përtej detit këto 5 vitet e fundit, shumica dërrmuese e të cilëve moshë e re, të talentuar, profesionistë, apo të sapodiplomuar me mundësi zero që iu ofron ky vend. Ky vend me barkderra të fryrë nga krimi dhe korrupsioni, ku sipas renditjeve të fundit lamë pas Gambia dhe Zambia, me të panginjur që kanë stivosur miliona euro nëpër parajsa fiskale, të ruajtura kushedi, ndoshta për ditët e qoftëlargut.

Kiameti nuk po vjen përnjëherë, por dalëngadalë, torturues dhe sfidues. Rrethuar me servilë dhe delirantë, në kullën e fildishtë, paria mendon pak për fatin e mbramë të theqafjes së vendit, të cilit prej gjashtë vjetësh nuk po i çelen as kapitujt e integrimit, duke ndenjur në vendnumëro, por si të shpëtojnë nga zullumet e kryera e të dalin pa lagur nga këneta e politikës shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb