TIRANE– Edhe pse në projekt-buxhetin e vitit 2018 ishte parashikuar shuma prej 110.5 mln lekësh për institucionin e Akademisë së Shkencave, këtë të premte, kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka kërkuar që ky fond t’i kalojë Ministrisë së Arsimit, e cila më pas do ta vendosë në dispozicion të universiteteve për kërkim shkencor.

Akademiku Artan Fuga e cilëson këtë vendim një veprim të gabuar të kryeministrit Rama. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ai tha se këto janë fonde publike dhe jo para të qeverisë, dhe sipas tij nuk mund t’i ndërpriten fondet një agjencie publike që vepron sipas ligjit.

“Institucionin e Akademisë së Shkencave e shoh shumë të rrezikuar. Rrezikon të humbasë statusin, pavarësinë e vet, dhe rrezikon të jetë i penguar të ushtrojë funksionet e veta. Kam dëgjuar në media, se në mbledhjen e sotme të qeverisë ia ka ndërprerë fondin prej 110.5 mln lekësh për institucionit të Akademisë së Shkencave, të parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2018 ishte parashikuar shuma prej 110.5 mln lekësh për institucionin e Akademisë së Shkencave.

Ky është një veprim i gabuar. Pasi nuk mundet t’i ndërpriten shpenzimet një agjencie publike që funksionon përmes ligjit. Kjo gjë nuk mund të bëhet pa ndryshuar ligjin. Shumica është, le të ndërmarrin një ndryshim të ligjit për Akademinë e Shkencave, por nuk mund t’i ndërpriten fondet. Ato nuk janë para të qeverisë, por janë fonde publike”, u shpreh akademiku Fuga.

Kujtojmë se Akademia e Shkencave është ende në pritje të dekretimit nga Presidenti të Gudar Beqirit, të zgjedhur në krye të këtij institucioni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb