Ndërkohë që qeveritë e tjera botërore po përballe me kriza ekonomike dhe inflacion të rritur, qeveria japoneze duket se ka një problem tjetër, të rinjtë që nuk konsumojnë alkool.

Që nga fillimi i pandemisë, baret dhe ambientet e tjera që shesin alkool janë goditur rëndë nga kufizimet e Covid-19, duke bërë që shitjet dhe të ardhurat nga taksat e pijeve të bien në ekonominë e tretë më të madhe në botë.

Zgjidhja e qeverisë? Nisi një konkurs për të gjetur mënyra dhe ide të reja për të inkurajuar të rinjtë të pinë më shumë.

Fushata e quajtur “Sake Viva!“, e mbikëqyrur nga Agjencia Kombëtare e Taksave, fton pjesëmarrësit të paraqesin ide se si të “stimulojnë kërkesën tek të rinjtë” për alkool përmes shërbimeve të reja, metodave promovuese, produkteve, dizajneve dhe madje edhe teknikave të shitjes duke përdorur inteligjencën artificiale ose metaverse, sipas faqen zyrtare të konkursit.

“Tregu vendas i pijeve alkoolike po zvogëlohet për shkak të ndryshimeve demografike si rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë, dhe ndryshimet e stilit të jetesës për shkak të ndikimit të Covid-19,” thuhet në njoftim duke shtuar se konkursi synon të nxisë brezin e ri dhe të rivitalizojë këtë industri.

Nisma është kritikuar në rrjet, me disa reagime në Twitter që theksojnë se të rrish larg alkoolit është një gjë e mirë aq më tepër për të rinjtë.

Të tjerë vunë në dukje se dukej e papërshtatshme që një agjenci qeveritare të inkurajonte të rinjtë të konsumonin alkool dhe dukej se fushata nuk kishte marrë parasysh rreziqet shëndetësore ose ndjeshmërinë ndaj njerëzve që merren me alkoolizmin.

Ministria e Shëndetësisë e Japonisë ka paralajmëruar në të kaluarën për rreziqet e pirjes së tepërt. Në një postim në faqen e saj të internetit vitin e kaluar, ajo e quajti konsumin e tepërt të alkoolit një “problem të madh social” që vazhdoi pavarësisht një ngadalësimi të fundit të konsumit. Dhe u bëri thirrje njerëzve me zakone jo të shëndetshme të pirjes që të “rishqyrtojnë” marrëdhënien e tyre me alkoolin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb