TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për një plan të qartë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe bizneseve në këtë periudhë të vështirë për vendin për shkak të pandemisë së COVID-19.

Basha tha se sugjerimet janë publike duke përmendur disa prej tyre. Ai deklaroi se Shqipëria është vendi me paketën më të ulët sociale dhe ekonomike në Europë.

“Gjatë orëve të fundit, disa sugjerime për këtë çështje i kemi bërë publike. Kemi kërkuar që qeveria të përgatisë dhe prezantojë planin strategjik të veprimit për mbështetjen financiare të ekonomisë në të gjithë sektorët natyrisht sipas skenarëve të zhvillimit të pandemisë dhe pasojave që pandemia ka. Qeveria ka folur për plan a.b.c por përveç germave nuk dimë asgjë tjetër.
Së dyti, kemi kërkuar rishikimin e buxhetit dhe transparencën për ccdo investim kapital, ndërkohë që garantojmë akoma mirëmbajtjen dhe investimet kritike për sektorët strategjikë. Së treti kërkuar zbatimin dhe përfundimin e paketës së parë ekonomike, e cila është e vonuar dhe kjo duhet bërë në mënyrë transparente. Së katërti, qeveria duhet të heqë të gjithë procedurat burokratike për shqyrtimin e kërkesave për asistencë. Mijëra e mijëra qytetarë nuk arrijnë dot të marrin paratë sepse ka burokraci. Kemi kërkuar shlyerjen pa vonesë të të gjithë kërkesave për rimbursimin e TVSH-së. Ka një parim, që në situatë të tillë, duhet të injektosh likuiditet, të injektosh para. Për fat të keq po i kërkohet të injektojë para një qeverie që ka thithur para. Detyrimet e shtetit ndaj biznesit në formën e detyrimeve të papaguara kontraktuale apo detyrimet e TVSH-së janë më të larta se sa zallamahia që ka ngritur para 7 vitesh, në 2013. Kemi një qeveri që ka thithur likuiditet, kur çdo qeveri po injekton likuiditet. Shqipëria është vendi me paketën më të ulët sociale dhe ekonomike në Europë.
Sot tha jemi vendi me paketën më të lartë. Ose është një gënjeshtër, ose kemi të bëjmë me një kryeministër të painformuar. Shqipëria e ka dhe më të ulët se Kosova”, deklaroi Basha.

I pyetur nëse do ndjekë PD rrugë ligjore për ndryshimet në kodin penal, Basha tha se nuk ka rrugë ligjore. “Vendi është në kolaps kushtetues. Sa i përket masave, nëse kjo shikohet si një luftë kundër njerëzve atëherë jemi në një situatë kritike e të pafalshme. Ndaj qeveria duhet të heqë dorë nga mungesa e një strategjie dhe lufta ndaj njerëzve”, theksoi kreu i PD.

Ai deklaroi se jemi në situatë emergjence, njerëzit në përgjithësi kanë respektuar rregullat. “I janë përmbajtur me vështirësi të mëdha masave shtrënguese. Tani është momenti që gjithë vëmendja dhe fokusi i qeverisë të jetë së pari: tek hartimi i planit të daljes nga kriza për të cilin kemi dhënë dhe sugjerimet tona konkrete dhe së dyti ndihma për dy sektorët kryesorë, dy frontet kryesore të kësaj beteje, fronti i parë është ai i shëndetësisë, i shëndetit, i mbrojtjes nga pandemia, i mbrojtjes së personelit shëndetësor, i testimeve dhe fronti i dytë është fronti social-ekonomik, i mbështetjes së njerëzve në nevojë dhe i faktorëve ekonomikë. Këtu duhet të jetë e përqendruar gjithë vëmendja dhe fokusi i qeverisë, këtu duhet të jenë të përqendruara të gjitha burimet e qeverisë, të tjerat pastaj janë me pak vlerë apo janë krejtësisht në drejtim të kundërt, siç ishte propozimi qesharak për të përjashtuar nga TVSH-ja pronarët apo blerësit e jahteve luksoze që mendoj se është treguesi më cinik i kaosit dhe kolapsit total në një situatë të tillë. Se si mund të mendosh në këtë situatë të tillë të heqësh TVSH-në e jahteve, të çosh në parlament aktin për heqjen e TVSH-së së jahteve luksoze kur ke qindra, mijëra, dhjetëra mijëra familje, me vogëlushë, me të moshuar që kanë shteruar çdo mundësi financiare, kanë shteruar edhe listat e ushqimeve, edhe aftësinë e tyre për të marrë borxh tek të afërmit…”, u shpreh Basha

I pyetur se cilit model do i referohej nëse do ishte në pushtet, Basha tha se do merrte tre vendime të rëndësishme.
“Siç ia bëra edhe dje të ditur kryeministrit…si kryeministër do të merrja tre vendime të menjëhershme, do anuloja me pushtetet që më jep emergjenca civile, të dhjetë apo dymbëdhjetë kontratat koncesionare që i kushtojnë Shqipërisë 2 mld euro, 120 milionë euro vetëm këtë vit. Po kështu do të shkurtoja të paktën 140 milionë euro nga buxheti aktual në investime kapitale dhe shpenzime operacionale. Do të liroja menjëherë 260 mln euro dhe do të ndërtoja një paketë e cila do të kishte dy elementë kryesorë, mbështetje për shëndetësinë dhe rritje e testimeve me të paktën 10 mijë testime në javë, analizimin e të dhënave dhe në bazë të tyre marrjen e masave të mëtejshme dhe pjesën tjetër mbështetje për çdo familje në nevojë dhe për të gjitha bizneset”, u shpreh kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb