Kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës për gazetarët këtë paradite pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, i është përgjigjur pyetjes nëse qeveria ka hequr dorë nga ligji për amnistinë fiskale.

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Rama shprehur edhe një herë sigurinë se ky ligj do të bëhet, por shtoi se ende po punohet për të shmangur ndonjë keqkuptim dhe për ta përsosur më tej.

Ndërkohë, pyetjes sesi do të aplikohet ky ligj kur BE është kundër, Rama tha se nuk “duhet qarë halli i Bashkimit Europian”, teksa tha se duhet më tepër kujdes kur flitet për ‘paratë e zeza të emigrantëve’, pasi bëhet fjalë për para të ndershme, të nxjerrë nga puna në të zezë.

Keni hequr dorë nga amnistia fiskale?

Edi Rama: Ne nuk jemi tërhequr por diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar keqkuptimet. Amnistia fiskale do të bëhet, e përsëris, sepse e kërkojnë shumica e shqiptarëve, e keni parë dhe në këshillimin kombëtar, nëse i keni vënë re të gjitha pikat e këshillimit kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes… Unë mendoj se nëse politikanëve në Shqipëri u është dhënë e drejta të gabojnë më shumë se një herë, nëse kemi një parti që është financuar me para të një vend armik të demokracisë, nëse në atë parti sot kemi në krye defakto një person non-grata për të gjitha të zezat nga SHBA, dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë e të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë, atëherë kush jemi ne?!

Me ç’të drejtë t’i privojmë qindra mijëra shqiptar nga e drejta për të formalizuar të ardhurat e tyre në të zezë në vendet e huaja? Pse? Dhe kush jemi ne që t’i paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% që është pjesë e gjithë të këqijave që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Kush janë ata që na thonë ne se Shqipëria s’mund ta bëjë këtë, se thonë se shqiptarët janë kriminelë? S’u vë faj se janë politikanët tanë që kanë shkatërruar imazhin tonë për të luftuar kundërshtarin këtu me kosto që e paguajnë shqiptarët. Shqipëria ka xha gajdurët e vet si çdo vend, por atë që i bëjnë vetë disa shqiptar nuk ia ka bërë asnjë armik, këtu shtoj dhe ata që marrin përsipër të bëjnë katalizatorin e të vërtetave publike që kontribuojnë për mjegull dhe gënjeshtra.

 BE është kundër amnistisë fiskale, si doni të bëni një ligj për të cilin keni kundër BE?

Edi Rama: Po ju ke jeni me shqiptarët, apo me përrallat, se nuk e kuptoj? Hallin e kujt qani se nuk e kuptova? Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve dhe këto ‘nëse’ janë në hava. Do mundohemi të krijojmë një bazë për dakordësi, nëse jemi dakord shumë mirë, nëse jo s’ka problem, pa shkelur norma e parime. Amnistitë fiskale i kemi parë nga thuajse të gjitha vendet e BE,  aty janë bërë shumë amnisti, në Itali janë bërë edhe më shumë… kështu që s’po bëjmë shpikje dhe nuk duam të bëjë diçka që i shkon ndesh asnjë kornize që ka të bëjë me norma e parime te BE. Sa i përket parasë së zezë, të jemi të qartë se bëhet fjalë për para të kursyera nga puna në të zezë, jo para të zeza, ligji i ka të qarta kategoritë që nuk përfshihen në amnisti. Pak më shumë respekt kur flisni për ‘paranë e zezë’ të emigrantëve dhe pak më shumë vetëdije që ky nuk është ligj për mua apo politikanët, gjykatësit, prokurorët apo ata që kanë pasur funksione drejtuese në administratë. Është një ligj për ata që kanë lënë vite të tëra rrugëve për të kursyer paratë, ça keni ju më këtë? Pse nuk jeni ju mbetës të kësaj? Qani hallin tim, si do ia bëj unë? Është gjëja më pak e rëndësishme, nuk jam këtu për punët e mia personale, pavarësisht se ju mund të tregoni çdo përrallë dhe çdo kush mund të besojë… çfarë mund të bëj unë? Mund të ndajë me ju të vërtetat e mia, pastaj ju jeni në të drejtën tuaj t’i ktheni të gjitha në përralla, por nuk e kuptoj se këtë ligj e kërkojnë 60% e shqiptarëve dhe emigrantët dhe ju qani hallin sa do mërzitet BE dhe SHBA? Ca halli qani , ata i kanë punët në rregull, ne duet t’i bëjmë punët në rregull si ata dhe natyrisht duke bashkëpunuar me ta.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb