NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Kompensohen 544 pronarë, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Shuma e kompensimit arrin në 253 milionë lekë dhe përfituesit janë në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Kukës. Lista me përfituesit është botuar në Fletoren Zyrtare, ku është përcaktuar shuma me të cilën kompensohen pronarët dhe sipërfaqet që kalojnë për llogari të personave që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë përfituar pronësinë nga procesi i legalizimit.
VENDIMI
Publikohet vendimi për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Në vendim përcaktohet shpërblimi i pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit. Vlera e përgjithshme e kompensimit, për sipërfaqen prej 25 242.55 m², që shpronësohet, të jetë 253 184 771.36 lekë. Zyra përkatëse e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të kryejë ndryshimet, për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Këshilli i Ministrave ngarkon Ministrinë e Zhvillimit Urban, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
PROCEDURAT
Për të përfituar kompensimin për pronën e zënë nga ndërtimet pa leje duhet të plotësohen një sërë dokumentesh. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve duhet dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb