Qeveria e Kosovës ka zgjedhur një rrugë të re për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Meqenëse “Lista Serbe” nuk po pranon, që ushtria e Kosovës të krijohet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku janë të nevojshme edhe votat e minoriteteve, kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar nga ministrat dhe ekspertët e fushës së sigurisë, të gjejnë modalitete të tjera që mundësojnë krijimin e ushtrisë.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda qeverisë se, tashmë është hartuar plani i ri, përmes të cilit synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në ushtri, duke shmangur ndryshimet kushtetuese.

Një zyrtar i lartë qeveritar, që është marrë me përgatitjet për ndryshimet ligjore, ka treguar se transformimi do të bëhet duke ndryshuar vetëm ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku do të shkrihet e gjithë përmbajtja e projektligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ndryshimi i statusit të Forcës së Sigurisë do të bëhet në përputhje me nenin 126 të Kushtetutës, ku thuhet se organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.

Në ligjin e ri që po përgatitet, FSK-ja do të marrë misionin e ushtrisë me të gjitha kompetencat ushtarake, siç ishte parashikuar në ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Sipas burimit të Top Channel, e vetmja gjë që nuk do të ndryshojë aktualisht është emri, i cili do të mbetet i njëjtë, pasi ashtu është parashikuar me Kushtetutë.

Përgatitjet për krijimin e ushtrisë së re i ka konfirmuar për Top Channel edhe zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi.

“Koalicioni qeverisës është duke punuar për transformimin e FSK-së në një ushtri të Kosovës, e cila do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa ndasi. Jemi duke punuar në modalitete teknike të realizimit të kësaj dhe besoj se, në kohë rekord do të dalim edhe me propozime konkrete sesi do të arrijmë deri te kjo”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i qeverisë së Kosovës.

Abrashi tha se, për modalitetet e reja mbi transformimin e FSK-së janë konsultuar edhe ekspertë të NATO-s, por edhe përfaqësues të minoriteteve në Kosovë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: