NGA ORNELA MANJANI*

Objektet e ndërtuara deri në datë 27 qershor të vitit të kaluar do të përfshihen në procesin e legalizimit, deri tani këto objekte ishin të destinuara të shembeshin. Nga ky proces do të përfitojnë rreth 60 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Përfshirja në proces e ndërtimeve me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar është vendosur dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Vendimi i qeverisë parashikon ndryshime në ligjin e vitit 2014, ku në proces legalizimi ishin përfshirë ndërtimet deri në vitin 2009.
LIGJI I RI
Ky ligj zbatohet për objektet pa leje të ndërtuara përpara datës 27 qershor 2014, me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Objektet ndihmëse, në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore. Ndërtimet pa leje që nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara më sipër trajtohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar”.
KALIMI I PRONËSISË
Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet që kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 (pesëqind) m˛. Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit. Kur për shkak të përmasave ose konfiguracionit të parcelës ndërtimore krijohen sipërfaqe të lira, që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i së drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim. Lista e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat kryhet kalimi i pronësisë miratohen nga Këshilli i Ministrave. Procedurat dhe rregullat e hollësishme që ndiqen nga ALUIZNI për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave”. Për regjistrimin e pasurisë së legalizuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ZRPP-ja zbaton dispozitat e ligjit nr.9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes” mbi regjimet pasurore martesore”. Rregullat e bashkërendimit të punës ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP-së, si dhe procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas VKM-së, ndërtimet pa leje të përfshira në fushën e zbatimit të këtij ligji nuk u nënshtrohen procedurave, afateve dhe kushteve që lidhen me vetëdeklarimin pranë njësive të qeverisjes vendore.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: