Në prag të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur qeveria arkëtoi në 10 muaj 520 milionë dollarë për shkak të rritjes së çmimeve, kryeministri Edi Rama njofton për një ‘Pako të madhe’ prej 80 milionë dollarësh për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, por edhe për punonjësit e shtetit.

Sipas statistikave zyrtare të ministrisë ss financave, qeveria mesatarisht ka mbledhur 52 milionë dollarë më shumë për cdo muaj që nga Shkurti kur nisi lufta në Ukrainë dhe në fund po ndan vetëm 80 milionë dollar për 1 milionë individë.
Kryeministri Rama ka njoftuar në facebook se janë 695 mijë pensionistë që do të marrin nga 8 mijë lekë. E njëjta shumë do të jepet edhe për 71 mijë persona me aftësi të kufizuar.

News 24 ka mësuar se përfitues do të jenë edhe të punësuarit në shtet me pagë mbi 60 mijë leke të cilët do të marrin 10 mijë lek mbështetje nga qeveria.
Ndërsa të punësuarit në shtet me pagë nën 60 mijë lek do të marrin 20 mijë lekë. Fondi ndryshe nga cfarë pritej nuk do të ndahet në ditët e mbetura të këtij vitit por përgjatë muajit Janar. Për festat pensionistët dhe familjet në nevojë do të duhet të mjaftohen me shpërblimin e tërhequr disa ditë më parë.
Në fillim të muajit qeveria miratoi vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe familjeve në nevojë. Vlera e bonusit edhe për këtë vit pavarësisht rritjes së cmimeve ishte vetëm 5 mijë lek.

Statusi i Ramës:

Me kënaqësinë e faktit se 695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja), për të zbutur impaktin e inflacionit të luftës deri në fund të këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, ju uroj një ditë të mbarë?

8000Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën.

10000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe, pas rritjes së pagave para disa muajsh me 15% për punonjësit e terrenit dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit, do ta zerojnë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre familjar në këtë dimër të vështirë për të gjithë, duke dëshmuar po ashtu vëmendjen e pandarë të qeverisë jo vetëm ndaj shtresave më në nevojë, po edhe ndaj shërbëtorëve të shtetit e të popullit shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb