Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një takim me mbështetësit në Kombinat ka renditur disa nga problemet kryesore që kjo qeveri ka favorizuar në kurriz të qytetarëve dhe që kanë rënduar krizën ekonomiko-sociale në vend.

Duke nisur nga çmimi i karburantit, e duke vijuar te vjedhja efondeve publike, Meta tha se synimi kryesor i qeverisë Rama është të zbrazë xhepat e qytetarëve për të mbushur arkën, në mënyrë që të financojë grabitjen përmes skemës së inceneratorëve, dhe koncesioneve.

“Firmosin këta për ata duke u falsifikuar firmat dhe duke xhiruar miliona euro. E dimë që Ukraina është në luftë, por pasojat ekonomike sociale janë më të rënda këtu se te ata. Përfshirë këtu edhe çmimin e karburantit që është një ndër më të shtrenjtit në botë. Prandaj Partia e Lirisë ka propozuar heqjen e taksës së qarkullimit.

Çmimi do të binte me rreth 370 lekë të vjetra. Por qeveria kërkon të mbushë arkën dhe të zbrazë xhepat e qytetarëve , për të financuar koncesionet, inceneratorët dhe tenderët. Ne jemi për një lek më pak në buxhetin e shtetit dhe një lek më shumë në xhepin e qytetarit. Sepse qytetari e investon më mirë përballë një qeverie që ka dalë totalisht nga sistemi i llogaridhënies. Janë dhënë 4 milionë metër katrorë leje ndërtimi për kulla në Tiranë.

Ndërkohë policia bashkiake vjen në derën tuaj edhe kur riparoni pllakat e korridorit të shtëpisë. Gjithashtu abuzimi që bëhet me çështjen e banesave sociale në Tiranë është i ndjeshëm. Bashkia e Tiranës ka dhënë 1 milion e 245 mijë metër katrorë leje për ndërtime, por 3% e tyre duhet t’i kalojën sipas ligjit fondit të Bashkisë së Tiranës për apartamente të gatshme. Por nga informacioni, Bashkia në rastin më të mirë do përfitojë vetëm 30 mijë metër katrorë për banesa sociale. Dhe shkelja e dytë, me propozim kundër ligjit, Këshilli i Bashkisë ka vendosur të pranojë edhe dorëzimin me lekë në vend të hapësirave për banesa sociale. Ky vendim vendos Bashkinë mbi Kuvendin e Republikës, për to janë depozituar edhe kallëzimet përkatëse”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb