TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi sot drejtësisë të zbardhë në mënyrë urgjente aferat korruptive të qeverisë në këtë kohë pandemie dhe të verë para përgjegjësisë personat përgjegjës.

Sekretari për Çështjet e Shëndetësisë në LSI, Besnik Jakaj deklaroi se LSI ka paraqitur në Parlament një amendament për një shtesë në buxhetin e shëndetësisë prej rreth 20 milionë dollarë për të përballuar këtë fazë të re të pandemisë, në mënyrë që t’ju vihet në ndihmë familjeve në nevojë që do përballen me infektimin, por se qeveria e kundërshtoi.

Ai tha se qeveria merr para borxh për të mbuluar korrupsionin, por nuk ka para për ilaçet e qytetarëve.
Në emër të LSI, Jakaj theksoi se qeveria duhet të thjeshtojë në maksimum procedurat për rimbursimin e barnave për të infektuarit, që po trajtohen në banesë si dhe të marrë masa për ofrimin e asistencës infermierore për rastet kur kanë nevojë për bërjen e injeksioneve dhe të terapive në kushtet e shtëpisë.

Deklarata e plotë e Sekretarit për Çështjet e Shëndetësisë në LSI, Besnik Jakaj
Vetëm periudha dhjetor-janar referuar statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë ka rreth 60 mijë raste të infektuar me covid.
Në fakt të infektuarit realë janë disa herë më shumë.
Dhe po t’i referohemi trajtimit bazik të tyre në bazë të udhëzimit të qeverisë vetëm për rimbursimin e barnave do të kërkoheshin mbi 20 milionë dollarë.
Siç është bërë publike, LSI ka paraqitur në Parlament një amendament për një shtesë në buxhetin e shëndetësisë prej rreth 20 milionë dollarë për të përballuar këtë fazë të re të pandemisë. Në mënyrë që t’ju vihet në ndihmë familjeve në nevojë që do përballen me infektimin.

Qeveria e kundërshtoi në mënyrë të papërgjegjshme këtë nevojë tejet të domosdoshme dhe deputetët e rilindjes nuk e miratuan atë. Këto para qeveria nuk i dha tek familjet e varfra. Të atyre që janë pa punë, të atyre që kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë.
Të atyre që kanë humbur vendet e punës për shkak të keqqeverisjes. Ndërkohë qeveria vetëm 2 muaj më parë mori 700 milionë euro borxh për të mbuluar aferat e saj korruptive.

Ndërsa para për ilaçet e qytetarëve të varfër në pandemi nuk ka?
Dy muaj më parë qeveria mori 200 milionë euro borxh për të mbuluar korrupsionin e saj në OSHEE.
Ndërsa para për rimbursimin barnave të qytetarëve të varfër në pandemi nuk ka?
Vetëm dy ditë më parë qeveria mori edhe 50 milionë euro borxh të tjera gjoja për energjinë.
Ndërsa para për rimbursimin e ilaçeve të qytetarëve në pandemi nuk ka?
Qeveria vazhdon paguan korrupsionin e inceneratorëve pronarët e të cilave janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Por para për shëndetin e jetën e qytetarëve tanë nuk ka?
Qeveria ka para për të financuar tenderat sekret në shëndetësi me 10-fishin e çmimeve ndërkombëtare.
Por para për shëndetin e qytetarëve të varfër nuk ka?

Të dashur qytetarë, ne jemi përballur si asnjë vend tjetër me këtë pandemi të tmerrshme pa asnjë ndihmë nga qeveria jonë.
Por jemi detyruar ta zgjidhim vetë hallin që na ka rënë me mënyrën tonë me parat tona e në shumë raste duke paguar me shëndetin e jetën e njerëzve tanë.
Po të shikojmë në farmacitë tona ka me dhjetëra qytetarë që në pa mundësi ekonomike për të marrë një terapi të plotë mjekimi kërkojnë përgjysmimin e saj vetëm për një ditë ose duke prerë blisterat e ilaçeve me gërshërë për të marrë një ose dy tableta aq sa para kanë.

Në këtë mënyrë duke iu nënshtruar me dhimbje sëmundjes e fatit të tyre se qeveria nuk denjon t’i mbështesë në këtë hall të madh.
I bëjmë thirrje drejtësisë të zbardhë në mënyrë urgjente aferat korruptive të qeverisë në këtë kohë pandemie dhe të verë para përgjegjësisë personat përgjegjës.
Qeveria të thjeshtojë në maksimum procedurat për rimbursimin e barnave për të infektuarit, që po trajtohen në banesë si dhe të marrë masa për ofrimin e asistencës infermierore për rastet kur kanë nevojë për bërjen e injeksioneve dhe të terapive në kushtet e shtëpisë.
Këto masa duhen zbatuar menjëherë. Shqiptarët nuk mund të paguajnë më me jetën dhe shëndetin e tyre korrupsionin e qeverise.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb