TIRANË- Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar disa vendime të rëndësishme. Kështu Këshilli i Ministrave ka vendosur të miratojë një shtesë fondi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale si dhe një shtesë fondi për Ministrinë e Bujqësisë për pastrimin e kanaleve ujitëse. Gjithashtu qeveria ka marrë vendimin për shpronësimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Një nga vendimet e rëndësishme ka të bëjë edhe me krijimin e Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve.

VENDIMET

1- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që vepron në Afganistan, në kuadër të rezolutës në mbështetje të misionit (RSM), nën komponentin e Forcave të Armatosura Turke”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 86, pika 2, e 87, pika 1, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 138 000 000 (njëqind e tridhjetë e tetë milionë) lekësh, fond i nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve vendore të datës 21 qershor 2015.

Partive politike, në programin “Mbështetje për partitë politike”, t’u shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh. Ky fond u shpërndahet partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2015.

Efekti financiar prej 203 000 000 (dyqind e tre milionë) lekësh, i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2015. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

3- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të nenit 2, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit të Sant’Egidio-s për selinë dhe veprimtarinë e këtij komuniteti në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.9628, datë 30.10.2006, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, programi “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, t’i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për organizimin e aktiviteteve në kuadër të nismës “Lutja e Paqes 2015”, në bashkëpunim me Komunitetin Sant’Egidio.

Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2015.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

4- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 44 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 13 e 17, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave vendosi:

Në buxhetin e vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në programin buxhetor 04240 “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, në artikullin 602, shtohet fondi 62 200 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekë, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2015.

Rishpërndarjen e fondeve, ndërmjet programeve të miratuara në buxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor 04240 “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, në artikullin 602, shtohet fondi 5 000 000 (pesë milionë) lekë;
b) Në programin buxhetor 04860 “Këshillimi dhe informacioni bujqësor”, shpenzimet e personelit pakësohen me 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

5- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 dhe 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “c”, të nenit 3, dhe pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:

Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.204, datë 19.2.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, nënndarjet për Qarkun e Tiranës, me numrat rendorë nga 67 deri në 78 dhe 79 deri në 90, ndryshojnë sipas nënndarjeve, përkatësisht, me renditjet 1 deri në 13 dhe 14 deri në 26, të lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

6- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 46, të ligjit nr.9482, datë 16.2.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:

Pika 2, e vendimit nr.289, datë 17.5.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. ALUIZNI ka Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori varësie në çdo qendër qarku. Përjashtimisht, ALUIZNI ka në Fier dy drejtori, në Vlorë dy drejtori dhe në Tiranë pesë drejtori varësie”.

7- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi:

Në vendimin nr.693, datë 22.10.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office) si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop); për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse.”.
2. Pas shkronjës “ç”, të pikës 3, shtohen shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f” e “g”, me këto përmbajtje:
“d)  Mbikëqyr zbatimin e procedurave dhe standardeve në sportelet pritëse për qytetarët (front office) duke garantuar cilësi, efektshmëri dhe transparencë;
dh)  Është përgjegjëse për ngritjen dhe menaxhimin e qendrave të ofrimit të shërbimeve publike të integruara;
e) Garanton aksesin për të gjithë qytetarët dhe saktësinë e informacionit për procedurat administrative, nëpërmjet kanaleve të ndryshme moderne të komunikimit;
ë)  Ndërton, përditëson dhe mirëmban inventarin qendror të procedurave administrative në nivel qendror të Republikës së Shqipërisë, sipas standardeve të BE-së, në kuadër të kategorizimit dhe kodifikimit;
f) Kryen rregullisht optimizimin e proceseve administrative në të gjitha institucionet publike sipas metodologjisë së riinxhinierimit;
g) Harton dhe përditëson formularët standardë për marrjen e shërbimeve publike si dhe mirëmban bankën tyre, për t’u aksesuar nga çdo punonjës i administratës publike”.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara për zbatimin e këtij vendimi.

8- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3/b, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për shërbimin publik të varrezave”, të ndryshuar, dhe të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:

Miratimin e ngritjes së varrezës private, në territorin e njësisë administrative  “Paskuqan”, Qarku Tiranë, sipas propozimit të paraqitur nga subjekti privat “VEBO Invest”, sh.p.k., depozituar pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Autorizohet Ministria e Zhvillimit Urban për negocimin dhe lidhjen e aktmarrëveshjes me subjektin privat “VEBO Invest”, sh.p.k., për  përcaktimin e rregullave të funksionimit dhe administrimit të kësaj varreze private.

Pasuria nr.1378, me sipërfaqe 881 375 (tetëqind e tetëdhjetë e një mijë e treqind e shtatëdhjetë e pesë) m2, e ndodhur në zonën kadastrale nr.8284, në pronësi shtet, i kalon në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Zhvillimit Urban. Ministria e Zhvillimit Urban, nga momenti i nënshkrimit të aktmarrëveshjes, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të kryejë kalimin në përdorim të subjektit privat “VEBO Invest”, sh.p.k. të truallit.
Ministrisë së Zhvillimit Urban i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës që i kalon në përgjegjësi administrimi.
Ministria e Zhvillimit Urban të zbatojë dispozitat e ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për shërbimin publik të varrezave”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, për lidhjen e aktmarrëveshjes.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit të paraqesë harmonizimin e projektit të ndërtimit të varrezës private me planet zhvillimore në fuqi ose në proces dhe të plotësojë, pas lidhjes së aktmarrëveshjes midis palëve, dokumentacionin për leje zhvillimore, në bazë të projektit të subjektit kërkues, të cilat do të miratohen në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

9- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, pika 1, shkronja “c”, dhe 5, pika 2, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:

Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit dhe Shkodrës.

Vlera e përgjithshme e kompensimit për sipërfaqen prej 28 700.9 (njëzet e tetë mijë e shtatëqind pikë nëntë) m², që shpronësohet, të jetë 262 093 285 (dyqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

10- Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara””, ratifikuar me ligjin nr.108/2012, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin e Raportit të Parë Kombëtar për zbatimin e konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: