TIRANE- Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran, për dhënien e ndihmës financiare për projektin “Instalimi i DMFAS 6 të UNCTAD-it në Ministrinë e Financave të Shqipërisë dhe ngritja e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të borxhit në Shqipëri”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Qeveria miratoi gjithashtu në parim, dokumentin ndryshues të marrëveshjes së huas, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të Bulevardit Verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Një tjetër vendim i qeverisë ishte që Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”.

Qeveria vendosi edhe organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare te Regjistrimit. Objekt i këtij vendimi është krijimi i bazës të të dhënave elektronike të regjistrit tregtar, të quajtur Regjistri Tregtar. Regjistri Tregtar është një bazë të dhënash unike e subjekteve që, sipas legjislacionit shqiptar, kryejnë veprimtari ekonomike tregtare.

Po kështu në vendimet e sotme të Këshillit të Ministrave është edhe ai që ka të bëjë me ndryshimet në pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore dhe shpronësimi i të prekurve nga ndërtimi i HEC-it në lumin Devoll. (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: