TIRANË- Megjithëse për ndërtimet ka një moratorium dyfish, në Tiranë, në njësinë administrative Dajt hapen gropa të reja për pallat. Administratori i Dajtit, Kujtim Qefalia sfidon hapur urdhrin e kryeministrit, po ashtu edhe të Bashkisë së Tiranës duke bekuar hapjen e një grope të re për ndërtimin e një pallati në kodrat e Dajtit.

Ky ndërtim që ka filluar prej dy ditësh dhe nuk njeh kufij duke sfiduar hapur ligjin dhe rrezikuar subjektet dhe banesat pranë. Një prej komplekseve më të vjetër në atë zonë “Chateau Linza’ ka filluar të vuajë pasojat e para pasi muret rrethuese kanë filluar shembjen. Dy mjete të rënda, një skrep dhe një kamion po vendosin në jetë planin e administratorit të Dajtit, i cili vijon traditën e zaptimit të kodrave të Linzës duke mos njohur ndalesë.

Dy mjetet që ende nuk dihet se në emër të kujt subjekti punojnë nuk qëndruan gjatë në detyrën e ngarkuar pasi panë shqetësimin e banorëve dhe subjekteve duke e lënë për momentin këtë paligjshmëri në mes. Por zaptimi i çdo hapësire nuk po njeh të ndalur. Të tjera pallate që kanë mundur të sigurojnë një leje për ndërtim, sado jashtë kritereve, vijojnë e ngrihen duke mos respektuar asnjë distancë.

Ky pallat po ndërtohet por duke cënuar sërish kompleksin “Chateau Linza” pasi dëmet që po i shkaktohen janë më shumë papërgjeshmëri dhe mungëse dëshire për të zbatuar ligjin sesa mosnjohje e kritereve të cilat mund ta dërgojnë ndërtuesin edhe në burg. Për këto paligjshmëri ka përgjegjës dhe emra konkretë ndaj prokuroria duhet të veprojë pa vonesë duke ndërprerë planin ogurzi ku betoni nuk po njeh kufi.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb