Partia Demokratike ka sulmuar ashpër ministrinë e Arsimit për nismën e saj për të zgjedhur degën e Mësuesisë.

Në një reagim për mediat, drejtuesja e Departamentit të Arsimit të Lartë, Lili Sula, theksoi se qeveria ka nisur fushatën për zgjedhjet, ndërsa shton se me këtë nismë diskriminohen mijëra studentë të diplomuar në mësuesi që sipas saj nuk janë punësuar ende.

DEKLARATA E PD

Të nderuar qytetarë,
Të dashur studentë,

Zonja Kushi na dha një lajm të keq për të gjithë studentët që po ndjekin degë të mësuesisë, për të gjithë ata që kanë kryer pesë ose shtatë vjet studime universitare për të ushtruar profesionin e mësuesit, për të gjithë pedagogët e angazhuar në fakultete e cikle studimesh profesionale, si edhe për prindërit që kanë fëmijët në arsimin parauniversitar.
Sipas zonjës Kushi, të gjithë ata që janë diplomuar në fusha të afërta ose të ndryshme nga mësuesia, si: ekonomi, inxhinieri, arte, gjuhësi, përkthim dhe dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit, do t`u plotësohet kjo dëshirë, pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, që do të mundësohet nga fakultetet e edukimit.
Zonja Kushi, a besoni vallë, vërtet se ushtrimi i profesionit të formimit të brezave është thjesht çështje dëshire?
A nuk jeni në kundërshtim të akteve të mëparshme ligjore, që detyrojnë studentët se për të ushtruar profesionin e mësuesit, duhet të diplomohen në ciklin e dytë të studimeve Master në mësuesi, të kryejnë stazh dhe më pas provimin e licensimit?
Zonja Kushi, nëse ju dhe kreu juaj e keni konceptuar arsimin si forcë numerike në fushata zgjedhore, a thua vërtet shqiptarët nuk e kuptojnë se po përdorni dy standarde, duke diskriminuar qindra e mijëra studentë të diplomuar në mësuesi, që për shkak të mosaktivizimit partiak, ende nuk janë punësuar!
Objektivi juaj primar, i ministrisë se arsimit dhe i kësaj qeverie nuk është interesi i nxënësit, as ai i mësuesit, të cilin vijoni të artikuloni në ligjërim bosh, por interesi partiak për t`i përdorur ato në fushatë zgjedhore.
Ofertës sezonale të zonjës Kushi nën dogmën: kush dëshiron të bëhet edhe mësues – tashmë kur na ndajnë me pak se tre muaj nga zgjedhjet – po i përgjigjem vetëm përmes dy reagimeve publike që vijnë nga studente të shkëlqyera, të cilat, edhe pse prej vitesh presin të ushtrojnë profesionin, nuk u është dhënë e drejta.
Njëra shpreh indinjatë për kaosin në sistemin arsimor, i cili ka lënë në rrugë e pa punë studentët më të mirë, ndërsa tjetra shprehet se: “Pas bachelorit, kreva shkëlqyer masterin shkencor, por nuk m`u dha e drejta të punoj si mësuese, sepse do duhej të kryeja masterin për mësuesi dhe tani, që po përfundoj dhe atë të mësuesisë – pas tetë vitesh studimesh universitare – ministrja p֝ërmbysi gjithçka me ofertën: Kush ka dëshirë të bëhet mësues.
Zonja Kushi,
Askush nuk e beson më dogmën tuaj, aq më tepër kur synoni të nëpërkëmbni dhe përdorni figurën më fisnike ndër gjithë profesionet – atë të mësuesit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb