Deputeti i PD, Dashnor Sula, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet se kryeministri Edi Rama dhe qeveria, ka shkelur  premtimin dhe se po godet biznesin e vogël.

“Pa mbushur ende vitin nga shkarkimi i një barre fiskale për biznesin e vogël i cili gjeneron mijëra vende pune e vetëpunësimi, kjo qeveri në kulmin e krizës parashikon të miratojë ndryshim të ligjit ku përkundër zotimeve të Rames, rrit taksat për biznesin e vogël”, shprehet ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Qeveria shkel premtimin dhe godet biznesin e vogël.

“Sa kohë do jemi këtu deri në 2029 nuk do ketë taksë për biznesin e vogël, që në njëfarë mënyre jep edhe një qetësi psikologjike edhe për të mos pasur paparashikueshmëri”, kjo është deklarata e kryeministrit Rama më 22 Nëntor të vitit të kaluar. Një nga mashtrimtet e shumta të mazhorancës.
Pa mbushur ende vitin nga shkarkimi i një barre fiskale për biznesin e vogël i cili gjeneron mijëra vende pune e vetëpunësimi, kjo qeveri në kulmin e krizës parashikon të miratojë ndryshim të ligjit ku përkundër zotimeve të Rames, rrit taksat për biznesin e vogël. Në fakt edhe në këtë rast barra fiskale e biznesit të vogël nuk u ul, por ato u transferuan. Nga regjistri i Tatimeve te taksat e pushtetit vendorë. Të gjitha bashkitë në Shqipëri rritën në mënyrë drastike taksat vendore. Pra biznesi i vogël nuk ndjeu ndonjë lehtësi.
Siç duket laku në fyt që qeveria i ka vendosur biznesit të vogël, nuk u ka marrë akoma “jetën”. Për ti çuar drejt falimentimit Ministria e Financave po planifikon që duke bërë manovra emërtimesh por që në thelb i heq ca para më shumë nga portofoli i biznesit të vogël, po përgatit ndryshime ligjore që që të rris tatim fitimin.
Skema që Rama aplikoi në fillim të këtij viti ishte dështim. Rama bëri sikur hoqi taksat për biznesin e vogël por rriti ekstremisht taksat vendore. Ndërkohë tani sërish do ti rikthej profesionet e lira në regjistrin e tatimeve dhe tu marrë edhe ca para më shumë. Kjo skemë çon drejt falimentimit shumë biznese. Inkurajon informalitetin dhe dekurajon profesionistët.
Marrëzia e radhës e kësaj qeverie duhet të marr fund e të mos vij në Kuvend!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: