Në një vend ku çdo gjë shkon mirë e bukur, ku qielli është i kaltër dhe dielli shndrin, ku pastërtia të verbon sytë, ku institucionet punojnë si orë zviceriane dhe qeveria u shërben njerëzve lumturia bëhet monotone dhe kënaqësia kthehet në vetëkënaqësi dhe kjo e fundit në mërzi.

Në një vend ku njerëzit, po nuk hapën fjalorin, nuk e dinë se çfarë do të thotë skandal;

në një vend ku nuk ka korrupsion apo padrejtësi;

në një vend ku arsimi dhe shëndetësia është falas;

në një vend ku njerëzit kanë ujë dhe drita 24 orë;

në një vend kur çdo qytetar ka akses në internet;

në një vjend ku terrenet sportive dhe parqet përmbysin qytetet …

Në këtë vend ekziston rreziku i madh që njerëzit nga mërzia të kalojnë në apati.

në një vend ku media ka mbetur pa punë sepse nuk ka asnjë skandal për të ekspozuar;

në një vend ku nuk ka asnjë histori padrejtësie për të hetuar e asnjë çështje që duhet zgjidhur; në një vend ku gjykatësit dhe prokurorët po mbesin pa punë jo për shkak të vettingut, por për shkak se nuk ka krime për të hetuar dhe gjykuar dhe nuk ka çështje për të mbajtur në punë policët, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.

Në këtë vend qeveria e ka punën pisk.

Në këtë situatë është detyrë e qeverisë që të kujdeset për njerëzit sepse në fund të fundit paguhet nga taksapaguesit pikërisht për t’u kujdesur për to.

Për t’i dalë së keqes përpara qeveria ka shpallur një plan masash për të luftuar apatinë.
1. Çdo muaj data 13 do të jetë ditë e Protesës Kombëtare.
Njerëzit ftohen të protestojnë dhe të marshojnë nëpër qytete. Në fund të çdo proteste, një grup inspektorësh nga ata të policisë që dikur futeshin si civilë për të pikasur protestuesit problematikë, do të shpallin fituesit e protestës, bazuar në një sistem pikëzimi që merr parasysh, parrullën, tonin e zërit, përplasjet me forcat e rendit etj. Nëse pjesëmarrja do të jetë e vakët, do të shihet mundësia që protestuesit të paguhen deri në momentin që të zhvillohet kultura e protestës.
2. Çdo javë, në programin më të ndjekur televiziv, qeveria do të organizojë “llotarinë e protestës”. Do të zgjidhet një qytetar i rastësishëm për të udhëhequr protestën dhe për të zgjedhur kauzën. Kauza mund të jetë e larmishme. Njerëzit mund të protestojnë për shembull “pse qielli sot është shumë blu”, ose “ndërtoni pallate mbi parqe”, ose “bari i gjelbër” po na vret sytë, ose “ajri i pastër po na shkatërron mushkritë”. Qeveria do të hapë portalin protestaqëduam.al. Në aplikacionin protestues1 do të ftohen të regjistrohen të gjithë shtetasit që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
3. Qeveria për të luftuar apatinë do të shkaktojë “tërmete”, ose fatkeqësi natyrore. Ka shumë të ngjarë që të shkaktohen përmbytje duke hapur digat e liqeneve ose aksidente industriale deri edhe në vendosjen e dinamitit në tunele për të shkaktuar zemërim te njerëzit, në mënyrë që të dalin në rrugë dhe të prostetojnë. “Eshtë kritike për demokracinë”, thotë një studim i brendshëm i qeverisë, i bërë publik nga hakerat iraninë, që “njerëzit të protestojnë, përndryshe rrezikojmë të kthehemi në një vend që do të bëhemi objekt tallje në gjithë rruzullin tokësor”.
4. Qeveria gjithashtu do të krijojë një “departament ankesash”. Do të jetë një linjë shërbimi ku do të dëgjohen të gjithë ankesat e qytetarëve që nga cilësia ujit të detit, deri te pakënaqësit që njerëzit kanë për personazhet e realiteteve televizive.
5. Nga sondazhet e fundit, është kuptuar se njerëzit nuk kanë njohuri të nevojshme se për çfarë mund të protestojnë. Qeveria do të bëj trajnimin e detyrueshëm kundër apatisë për të gjithë qytetarët, pa përjashtim. Një herë në javë, të gjithëve u kërkohet të ndjekin një klasë ku do të mësojnë se si të jenë të pakënaqur, si të ankohen dhe si të gjejnë të metat aty ku çdo gjë ju duket e përsosur. Nëse nuk ka rezultate atëherë do të kalohet tek shkolla e natës derisa qytetarët të mësojnë si prostetohet.
6. Nëse edhe pas gjithë këtyre masave, njerëzit nuk reagojnë atëherë qeveria do të përdorë variantin “nuclear”. Përmes një llotarie të mbyllur, ku marrin pjesë vetëm ministrat dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, çdo muaj një zyrtar “fitues’ është i detyruar të përfshihet në një skandal. Në këtë mënyrë media do të ketë me se të merret dhe njerëzit mund të nxiten më shumë që të dalin në rrugë dhe të protestojnë. Skandalet në nivelet më të larta të qeverisë mund të jenë të tipit që “ministri ecën në rrugë, por jo në vijat e bardha” ose mund të shkohet edhe më tej dhe psh Ministri i Transporteve mund të urdhërojë vartësit që treni të vonohet disa sekonda dhe kjo të bëhet skandal.
7. Për të nxitur luftën ndaj apatisë dhe cinizmit, caktohet një ministër shteti për Protestat.

Qeveria gjithashtu po rishikon mundësinë që të bëj autokritikë sepse duke krijuar një situatë të përsosur ka harruar që edhe përsosmëria ka nevojë për tronditje në mënyrë që jeta të jetë më interesante dhe të mos ndalet zhvillimi. Përndryshe, ekdsodi i shqiptarëve drejt vendve ku jeta nuk është e përsosur, por gjithsesi interesante, do të vijojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb