TIRANË- Megjithëse autorësia e raportit të publikuar pak ditë më parë në media për deputetë e drejtues të vendit nuk u pranua zyrtarisht nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, duket se kjo ambasadë po shkon drejt mbylljes.

Aludimet se kryeministri Edi Rama ka patur një telefonatë me kreun e Prezencës Florian Raunig ku e ka kërcënuar se do ta largojë nga vendi, nuk u konfirmuan, por tashmë një letër e Ministrisë së Jashtme, konfirmon vullnetin e qeverisë për largimin e OSBE-së.

Pavarësisht tentativës së ambasadorit Florian Raunig, për të zbutur raportin, dokumenti ka shkaktuar një zemëratë, indinjatë dhe tension në radhët e politikanëve të përmendur si të korruptuar, si vrasës dhe pjesë e mafies ruse. Pas shtimit të atyre që kërkonin largimin e misionit të OSBE nga Shqipëria, mësohet se qeveria ka nisur lëvizjet e para.

Në letrën që Ministria e Jashtme u dërgon të gjitha ministrive, e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Qirjako Qirko u kërkohet që të dorëzojnë projektet që kanë me OSBE, pasi roli i saj po bëhet gjithmonë e më pak i nevojshëm.

“Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon, dhe më gjerë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet tona me OSBE. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe promovimin e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Parë në këtë këndvështrim, zhvillimet në Shqipëri do të justifikonin ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE në vendin tonë dhe tkurrjen e saj në disa fusha përparësore. Ministria e Punëve të Jashtme, e gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës së OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend”, thuhet në letrën e MPJ, të publikuar sot nga Gazeta Sot.

Ndërkohë theksohet se projektet në vijim, të mos jenë në vlera të mëdha dhe të jenë afatshkurtra.

“Për këtë arsye, jeni të lutur të na informoni: 1. Projektet që institucionet tuaja kanë në proces (të shtrira në periudhë kohore) me OSBE, kostot e tyre dhe nëse ka edhe institucione të tjera kontribuuese financiare. Mbi idetë që keni për realizimin e ndonjë projekti të domosdoshëm me OSBE për periudhën në vijim, të cilat mundësisht, të mos jenë në vlera të mëdha dhe të jenë afatshkurtra, duke gjykuar edhe mbi mundësitë për mbështetjen e këtyre projekteve nga institucionet apo organizata e donator të tjerë ndërkombëtarë”, thuhet në letrën dërguan ministrive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: