Kryeministri Rama prezantoi këtë të hënë projektin për rikthimin në funksion të ish-Uzinës së Autotraktorëve, duke e kthyer atë në një qendër të industrisë ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara.

Nisma e prezantuar ngjalli debat dhe shqetësim në mesin e banorëve të zonës përreth. Pavarësisht se u paraqit si një projekt me rëndësi strategjike për forcën e sigurisë, fakti që vendndodhja e ish-Uzinës është mes pronave private dhe banesave të shumta, i ka shqetësuar banorët që preken drejtpërdrejt nga ky projekt. A do të jenë ata të sigurt në ambientin e ri që po krijohet? A do të ketë kompensim për ata që mund të preken nga ky zhvillim?

Banor: Zona ku ne banojmë është shpallur zonë rindërtimi. Na jepni një shpjegim se çfarë do të ndodhë me ne aty poshtë? Kam aplikuar për të bërë bashkimin e trojeve me banesën dhe në mënyrë absolute nga Hipoteka nuk na jepet asnjë lloj komunikimi. Ju lutem na thoni se çfarë mendoni të bëni me ish-uzinën e autotraktorëve?

Banor: Jemi 16 shtëpi që tualetet i kemi në asfalt. Nuk kemi nga t’i çojmë, gjallë nuk e bëjnë kanalin 150 m tuba dhe 2 orë punë një fadromë për t’i lidhur me kolektorin kryesor.

Rama thekson rëndësinë e këtij projekti për forcimin e sigurisë kombëtare, por banorët ngritën si shqetësim infrastrukturën e dobët të zonës. Ky projekt sipas banorëve duket të jetë një përpjekje e nxituar për të plotësuar nevojat e ushtrisë, pa marrë parasysh pasojat për komunitetin lokal.

Banor: Unë nuk kam ardhur këtu as për legalizimet, se legalizimin e kam bërë vetë besoj e kuptoni se si, si gjithë të tjerët… A ka mundësi të na ndihmoni për rrugën se as po kërkojmë të na jepni lek, as të na fusni në punë, por për rrugën. Në një moment që kërkon të bësh një kotec pulash të vjen IMT, IKMT, Policia Bashkiake, Policia e Rendit, nuk vijnë në zbatim të ligjit por vijnë dhe thonë 5 mijë njëri, 5 pijë tjetri…20 mijë euro…

Disa prej banorëve denoncuan hapur korrupsionin që hasin qytetarët gjatë procesit të legalizimit. Madje Rama debatoi gjatë me një nga qytetarët e pranishëm në takim.

Edi Rama: Do më tregosh kujt ia ke dhënë lekët…

Banori: Zoti kryeministër hajde na bëj rrugën.

Edi Rama: Kujt ia ke dhënë lekët?
(Debati me banorin vazhdon)

Kthimi i një zone me potencial të madh social, si ish-Uzina e Autotraktorëve, nga një projekt për banesa sociale në një sipërmarrje fitimprurëse për një kompani private si TIMAK, përfaqëson një devijim shqetësues nga interesi publik. Ajo që nisi si një premtim për të adresuar nevojat e shtresave në nevojë, sot po kthehet në një model ku përfitimi ekonomik prevalon mbi përgjegjësinë sociale. Ky transformim nuk është thjesht një ndryshim kursi, por një sinjal alarmi për mënyrën se si trajtohet prona publike dhe e ardhmja urbane, jo më në funksion të qytetarit, por në shërbim të interesave të ngushta të privatit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb