Akademiku Artan Fuga, i ftuar në rubrikën “Opinion” “News 24” komentoi krijimin e qeverisë së re.

Ai tha se nuk mund ta gjykojë ende qeverinë pa nisur punën, por shtoi se ajo nuk na përfaqëson të gjithëve në mënyrë të barabartë, për një sërë arsyesh. Fuga vlerësoi zgjedhjen e Linditës Nikollës në krye të Kuvendit, duke thënë se ajo ishte personi adapt brenda Partisë Socialiste për atë post.

Për ilustrim, ai kujtoi kohën kur zonja Nikolla ka qenë në krye të Ministrisë së Arsimit dhe ishte e hapur për mendime ndryshe. Nga figurat e PS sipas akademikut, Balla dhe ish-zv. kryeministri Erion Braçe janë më të goditurit, pasi nuk përftuan asnjë post. Duke u ndalur te bashkëpunimi PS-PD, Fuga theksoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në realitetin shqiptar, pasi sipas tij, detyra e shumicës është të qeverisë dhe e pakicës të bëj opozitë.

Artan Fuga: Pavarësisht pikëpamjeve dhe këndvështrimeve që kam dua që qeveria të bëj punë të mira, ky është urimi. Nga pikëpamje e përbërjes mos prisni nga unë që të merrem me ministra konkret. Nga pikëpamja sociologjike, kompozimi i qeverisë, nuk është përfaqësues i strukturës së shoqërisë në tërësinë e vet. Nëse ne supozojmë që nga pikëpamje demografike, në Shqipëri janë 50% femra e 50% meshkuj, do të shohim se në përbërjen e qeverisë janë 12 femra dhe 4 meshkuj. Nga ana tjetër shikoj që shumica, me ndonjë përjashtim, janë banues në Tiranë, vijnë nga Tirana. Kam parasysh që është një mesatare moshe te 40-45 vjeçët, është e përfaqësuar kjo moshë dhe shikoj që edhe nga pikëpamja e identitetit fetar, religjioz, të tyre sikurse unë e kam thënë para disa ditësh, nuk ka me prejardhje katolike e pjesa dërrmuese janë me fe krishterë-ortodokse, këto nuk përputhen. Do të ishte mirë që ne të kishim një kurrikulum të ministrave e ministrave, një biografi të tyre, një informacion për to.

Kush prej tyre nuk ju bind plotësisht?

Artan Fuga: Unë nuk bëj të tilla vlerësime dot, sepse nuk vij si opinionist, as si analist, vij me pozitën e një qytetari dhe studiuesi, e si i tillë s’kam pasur mundësi të masë performancën e tyre. Unë prisja që në Asamble këta ministra që janë rikonfirmuar në detyrë, të bënin një analizë, ose një këndvështrim kritik të asaj që kanë arritur apo jo. Kam parë që ata kanë dhënë intervista në media dhe ajo që kam parë është që e kanë trajtuar se e morën postin dhe patën apo s’patën besimin e kryeministrit. Unë prisja që të bënin një analizë të profesionalizuar të kësaj pune. Edhe ata që thonë e kam marrë vesh në momentin e fundit. Kjo do të thotë që jam i papërgatitur, ndërkohë që një post merret në bazë të një reflektimi. Po kështu edhe me personat e rinj, që duhet të thoshin si e mendojnë ato punën e tyre, por para asamblesë. Shumica e ministrave në formimin e tyre nuk kanë asnjë lidhje me fushën që drejtojnë, aq më shumë nuk kanë shprehur një koncept politik apo profesional. Kur shikoj që një ministre ka një formim krejt tjetër nga fusha që drejton, studiuesit thonë që ajo do të drejtohet nga ekspertët, burokratët. Kjo mua më jep ndjesinë që ne nuk kemi një drejtim politik siç është në demokracitë e pjekura, por do të kemi ministra të cilët do të na ofrojnë ato zgjidhje që burokratët do të japin.

Ndalemi pak te figura e Lindita Nikollës, që do të jetë kryetarja e re e Kuvendit. A është zonja Nikolla si e denjë për të zëvendësuar zotin Ruçi?

Artan Fuga: Kur shpallet qeveria duhet kuptuar që personat janë të fundit, ka gjëra të tjera përpara, që është kompozicioni social-politik e gjëra të tjera. Ne jemi përpara një çështjeje specifike. Ndarjet e dikastereve janë në formë klasike, si një shoqëri të vitit 20, sepse ka ndarje si bujqësia, arsimi. Unë do të kisha parapëlqyer të dëgjoja opozitën të thoshte pse një ministri e infrastrukturës dhe jo një e teknologjisë, pse një ministri e arsimit, por një ministri e shkencës. Shqipëri nuk mundet dot t’i shmanget këtyre prirjeve moderne. Kjo është për mua e rëndësishme. Ministrat e shtetit që janë, janë pa funksion, e jam i bindur që do të dështojë, si ministria e zotit Majko për Diasporën. Edhe postet e tjera i shoh si emra për të shtuar numrin e anëtarëve të qeverisë. Sa i përket zonjës Nikolla, nëse dikush do të më kishte pyetur se midis socialistëve cila apo cili do të ishte personi më adapt, patjetër që do të kisha vendosur dorën te ajo. Pse? Unë po them që zonja Nikolla është një njeri që në edukatën e saj ka pikërisht këtë gjë që hapet ndaj mendimit të kundërt. Krijon hapësirë për mendimin e kundërt. Zonja Nikolla në rastin e rinovimin e akademisë së shkencave ishte e vetmja që kërkonte të zbatoheshin rregullat kushtetuese që do të çonin në ndërtimin e një institucioni siç duhet. Pikërisht aty është hequr zonja Nikolla, ka ardhur ministre tjetër që ka bërë shkelje të rënda. Të gjitha palët ajo i dëgjonte, kërkonte t’i jepte zërin shkencëtarët të flisnin. Dolën studentët para disa vitesh në protesta, u hoq zonja Nikolla. Problematikat e studentëve ishin të drejta, u morën masa? U propozuan masa për të rregulluar gjendjen? U thanë që do të përkthehen tekste bazë nga bota, gjejini ato, por nuk ka asgjë që do të thotë që shoh te ajo grua atë që mendoj një kryetari Kuvendi duhet ta ketë. Është një grua që vjen nga një trevë ku feja katolike është një lloj kriteri për drejtuesit e shtetit, them që nuk është se për shkak të kësaj zonja Nikolla ka besim, por do e shoh me kohën.

Opozita ka goditur figurën e Ulsi Manjës. Çfarë mendoni profesor?

Artan Fuga: Opozita para se të vijë te emrat duhet të vijë në çështjet themelore e parësore. Unë pres si qytetar që Manja nëse është fajtor të hetohet dhe të shpallet fajtor nga drejtësia, nëse është i pafajshëm them është i pafajshëm. Kaq di unë sot. Këto probleme i kemi thënë. Ajo që unë po shoh në krahun socialist është që është krijuar një grup lidershipi që me të gjithë problemet dhe pse jo me paaftësinë, janë të njëjtët njerëz që qarkullojnë. Kjo do të thotë që shoh zotin Rama që përpiqet që asnjë nga anëtarët e këtij grupi të mos dalin nga torta e pushtetit. Kush del nga qeveria shkon në kryesinë e partisë. Kush nuk është në akademinë politike, shkon te komisionet apo sekretariatet. Pra kemi një qarkullim, një depozitë kur njerëzit qarkullojnë aty. Shoh emra si Majko, Xhafaj janë në periferi. Kur dëgjova që do të ndërtohet një akademi politike, mendova. Kjo i duhet shqipërisë? Kur një punonjës i administratës të marrë njohuri të një krahu të caktuar. Unë mendoj që një nëpunës shqiptar ka nevojë të formohet në shkollën e administratës shqiptare ku çdo nëpunës duhet të kalojë. Unë prisja nga kryeministri të shpallte këtë gjë, por pash që është një shkollë partie e nuk më thotë ndonjë gjë. Prandaj unë në analizat e mia këto shoh dhe ajo që unë mendoj se mund të jetë është se asnjëherë PS nuk bën ndryshime radikale në asamble apo kongrese. Nëse kryeministri ka dalë në po me atë qeveri, kjo s’do të thotë që s’do të bëj ndryshime, por është në traditën e tij për të mos bërë ndryshime radikale. Nëse ka një njeri që ka marrë një goditje nga kjo asamble dhe emërime ka qenë Taulant Balla. U largua nga posti, nga Elbasani dhe në një farë mënyre dhe në kryesi erdhi në mënyrë automatike meqenëse ishte kryetar qarku dhe tanimë është dërguar në një qark që nuk e njeh fare. Njeriu që ka pësuar goditje nga pikëpamja objektive është Balla, e më pas është zv. kryeministri zoti Braçe dhe së treti shikoj që në asamble dhe zoti Veliaj mbeti në Tiranë. Këtyre njerëzve i është treguar që të gjithë janë të qarkullueshëm, asnjë post nuk është stabël veç postit të parë.

Oferta e Ramës për Bashën?

Artan Fuga: Një qeveri e përbashkët mes PS dhe PD do të ishte fundi i çdo gjëje. Një shoqëri e vërtetë ka një mekanizëm qeverisëse, mekanizmi është që shumica qeveris, opozita bën opozitë. Thuhet për rastin gjerman, por Shqipëria s’është Gjermania sepse në Gjermani ka struktura të tejra që rregullojnë funksionimin e shtetit. Nëse është fjala për një bashkëpunim, ku të dyja palët mendojnë se është në të mirë të qytetarit, pse jo, të mos ketë bashkëpunim. Por jo pazare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb