Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka ngritur në parlament problematikën e rritjes së çmimeve.

Sipas saj, bordet e ngritura nga qeveria në këtë kohë krize nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur situatën, ndërsa shton se qytetarët ndodhen në nevojë.

“Të nderuar kolegë, qytetarë që po na ndiqni
Në fakt më vjen mirë që zoti Tritan Shehu ngriti çështjen e rezolutës për Kosovën. Një rezolutë që unë bashkë me disa kolegë e kemi përgaditur që në shtator të vitit të kaluar dhe me një grup ekspertësh pranë Partisë Demokratike dhe ishte një lajm i mirë që krahas propozimit të zotit Enkelejd Alibeaj për të, dhe një grup deputetësh e mbështetën atë. Besoj që çështja e Kosovës i bën bashkë të gjithë palët politike, i bën bashkë të gjithë deputetët në këtë Kuvend dhe bën bashkë këdo që do të denoncojë genocidin serb.
Unë e kam ngritur këtë shqetësim për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ndoshta nuk di të bëj shumë zhurmë, por ka disa që bëjnë zhurmë, ka disa që bëjnë punë dhe do vazhdoj ta ngrej këtë çështje në vijimësi sa herë që të kem mundësi për ta futur këtë rezolutë në rendin e ditës.
Për t’u rikthyer tek shqetësimet e qytetarëve, siç duket qershori nisi më i nxehtë seç pritej. Zjarret e gushtit filluan që në qershor, duke treguar paaftësinë totale të qeverisë sa herë që ndodhet në vështirësi. Paaftësi në menaxhimin e situatës covidit, paaftësi në menaxhimin e situatës në rastin e rindërtimit, paaftësi sa herë që bie një zjarr, paaftësi kur fillon lufta, paaftësi kur rriten çmimet e kështu me rradhë.

Sot unë dua të diskutoj në fakt për një çështje shumë të rëndësishme që ka ditë që prek qytetarët dhe bizneset shqiptare; bordi i caktimit të çmimeve për karburantet. Më një bord me asnjë fuqi, të marrë nga asnjë ligj, me asnjë fuqi të përcaktuar në fakt në ligjet shqiptare, qeveria shqiptare ka muaj që përcakton sesa do të jenë çmimet e karburanteve. Por çudia më e madhe ka ndodhur ditët e fundit, kur një pjesë e madhe e pikave të shitjes së karburantit, kanë çmim më të ulët sesa ai që ka përcaktuar bordi i qeverisë. Unë që në fillim të herës e kam quajtur bordin një sajesë, një farsë totalisht komuniste, të shpikur për të kontrolluar tregun, ku ulen pronarët e kompanive të karburanteve bashkë me shtetin e ndajnë në tavolinë pazaret e diskutojnë mes njëri tjetrit sa do të përcaktohet çmimi. Kjo është në dëm të qytetarëve, është kriminale. Kjo është në dëm të interesit publik dhe është në dëm të ekonomisë.
E njëjta situatë po ndodh dhe me çmimet në ekonomi. Të gjitha çmimet e produkteve bazë janë rritur mbi 2 herë. Ka disa produkte të përdorimit të përditshëm, të shportës që janë rritur rreth 30%, disa tjerë janë rritur deri në 100%. çfarë bën qeveria? Qeveria bën një akt normativ ku vendos që të kompensojë kompanitë e rindërtimit me 80 milionë euro. Janë rritur çmimet me 30% dhe në vend që ti ndodhet pranë bizneseve të vogla, qytetarëve, ekonomisë në përgjithësi sot është duke vuajtur, rrit me 80 milionë euro fondin e rindërtimit. Të mos harrojmë, kompanive të miqëve, familjarëve, deputetëve, ministrave të Partisë Socialiste.

Përveçse kriminale dhe korruptive, në fakt kjo është në kufinjtë e arrogancës. Kur sot çmimet në treg i përjetojnë të gjithë qytetarët, gjithë bizneset, ku masivisht kemi mbyllje të bizneseve, qeveria vendos si gjithmonë, të rishpërndajë të ardhurat shtesë në buxhet vetëm tëk një grusht i caktuar kompanishë: kompanitë e karburanteve, të rindërtimit. Kush mendon për qytetarët? Kush mendon për interesin publik? Kush diskuton se çfarë përfitimi duhet të kenë qytetarët? Këto janë çështje që ju interesojnë, besoj gjithë shqiptarëve, krahas denoncimit të genocidit serb në Kosovë dhe krahas shumë çështjeve tjera që deputetëve të nderuar të opozitës janë duke ngritur kohët e fundit. Duhet të kesh guxim në fakt të flasësh për kompanitë e karburanteve dhe shumë e kanë gojën mbyllur këtu. Nuk flasin. Duhet të kesh guxim të denoncosh ato kompani që sot me një skemë korruptive, në bashkëpunim me qeverinë, janë duke përcaktuar se çfarë ndodh në ekonomi. Besoj se sot qytetarët kanë nevojë, që së pari deputetët e opozitës, por së dyti kushdo, të ngrejë zërin dhe të tregojë këtë guxim se prandaj jemi votuar”, tha Ahmetaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb