TIRANË

Qeveria po zbaton këtë vit një tjetër rritje të barrës fiskale për qytetarët, duke indeksuar akcizat e disa produkteve si karburanti, pijet alkolike dhe kafja. Kjo barrë fiskale në kushtet e rritjes së çmimeve të karburantit dhe energjisë do të bjerë direkt te qytetarët.

Aktualisht në çmimin e naftës përfshihen gati 70% taksa, pjesa tjetër është vlera e produktit, ndërsa me rritjen e akcizës ai do të shtrenjtohet edhe më shumë.

Me futjen në zbatim të skemës së re për indeksimin e akcizës ka nisur një shtrenjtim i ri për të gjitha mallrat e akcizës.

Përvec karburantit, edhe akciza e pijeve alkolike dhe kafesë këtë vit do të rritet së paku me 2%, aq sa ishte edhe norma mesatare e inflacionit vjetor ne 2021.

Kjo do të thotë një rritje në akcizën e karburanteve me 2-3% në vit, gjë që do të reflektohet në rritjen e çmimit final të produktit. Kjo skemë është një rritje e drejtpërdrejt e taksave dhe pritet t’iu heqë nga duart qytetareve rreth 500 milionë lekë në vit ose 4 milionë euro.

Ministria e financave thotë se një herë në dy vjet akciza do të duhet të rritet me normën e akumuluar të inflacionit të dy viteve pararadhëse. Sipas qeverisë indeksimi i akcizave sipas inflacionit është në kuadër të hartimit të Strategjisë afatmesme të të ardhurave, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar indeksimin automatik të tarifave specifike të akcizës së mallrave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb