TIRANE– Kreu i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ish- deputeti i PD, Mark Marku ka komentuar zhvillimet e fundit politike ne vend dhe situatën parazgjedhore. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Mark Marku u shpreh se do ketë dialog, por paraprakisht palët politike po testojnë njëra tjetrën.

“Nuk është thjesht çështje takimi Rama-Basha, por duhet një tryezë ku të jenë pjesëmarrëse të gjitha palët. Në këtë fazë mendoj se palët po bëjnë retorike dhe po testojnë njëra-tjetrën. Gjëja e dukshme është se do ketë një tryezë dialogu dhe një procedure për zgjidhjen e krizës. Ajo që nuk dihet është se kur do fillojë ky dialog”- tha Mark Marku.

Ndërkohë lidhur me pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhje, Marku u shpreh se nuk mund të ketë zgjedhje me dy parti politike pasi kjo është propagandë. Sa i përket qeverisë teknike, ai u shpreh se ajo është thjesht procedurë dhe është e realizueshme.

“Përveç partive opozitare, edhe LSI dhe PDIU kanë deklaruar se nuk kanë zgjedhje pa opozitën. Është iluzion nëse mendohet se mund të ketë zgjedhje pa të gjitha partitë. Zgjedhjet me dy parti janë propagandë politike. Qeveria teknike është thjesht procedurë. Kjo mbetet si akt politik dhe është e realizueshme. Edhe Rama thotë që do bëhet dialog. Mbetet për t’u përkufizuar do jetë qeveri teknike apo qeveri besimi, varet si përkufizohet. Gjendja emergjente çon në qeveri teknike. Nuk është çështja se një qeveri nuk organizon zgjedhje të lira. Unë mendoj se nuk ka vullnet për zgjedhje të lira, pasi mungon besimi me Ramën kryeministër. Mosbesimi qëndron tek Rama dhe nuk po thotë njeri se nuk ka mosbesim tek policia apo institucionet”- tha Mark Marku.

Ndërkohë në lidhje me rolin e kreut të LSI, Ilir Meta, pedagogu Mark Marku tha se ai është një politikan pragmatist dhe ka kuptuar se nëse do vidheshin votat e opozitës, mund të vidheshin edhe ato të LSI. Marku u shpreh se LSI ka funksion përcaktues.

“Meta është një politikan pragmatist dhe ka arritur të krijojë partitë e tij në funksion përcaktues. Ai ka sens politik të zhvilluar dhe ka treguar edhe përgjegjësi të madhe politike. Ai ka kuptuar se nëse do bëheshin zgjedhje pa opozitën do bëheshin prapë zgjedhje pas 6 muajsh. Nëse do manipuloheshin votat e opozitës mund të manipuloheshin edhe votat e LSI-së. Pra është me më pak kosto për vendin që të shkëputet nga Rama dhe të bëjë politikën e vet që është e dobishme për vendin”- u shpreh Mark Marku.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: