TIRANE – Qeveria do të zhvillojë një tender për të pajisur me 29 automjete luksoze personalitetet e larta. Me anë të këtij vendimi, Këshilli i Ministrave i ka ngarkuar si detyrë Gardës së Republikës që të zhvillojë një tender për marrjen e automjeteve, por pa përcaktuar fondin limit që do t’i zbritet buxhetit.

Në fakt, përpara se të miratohet shuma e parave që duhet të vihet në dispozicion, Garda, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Transporteve duhet fillimisht të përcaktojnë detajet teknike dhe llojin e automjeteve, më pas kostoja për blerjen e tyre i ngarkohet institucioneve, të cilat do t’i përdorin. Pjesa më e madhe e makinave që do të blihen janë të tipit “Jaguar” me fuqi motorike të mëdha, ndërkohë që specifikimet janë nga më absurdet.

Në dosjen e siguruar nga Vizion Plus, ku jepen detajet e mjeteve që do merren, renditen opsionet e makinës, që nga numri i cilindrave, xhamat e errësuar e deri te timoni multifunksional me 3 krahë dhe aplikacione alumini apo airbagë te dritaret dhe sinjalizues për presionin e gomave. Vlera e këtij lloji automjeti, në faqen zyrtare të kompanisë që i prodhon, pa llogaritur opsionet ekstra, nis nga 95 mijë dollarë.

E kontaktuar nga Vizion Plus, Garda e Republikës u shpreh se nuk mund të nxirrte dot fondin që i duhet ministrive për të paguar makinat, sepse informacioni është i klasifikuar, por burimet në këto dikastere thonë se pagesa do të bëhet përgjatë 4 viteve, duke qenë se nuk mund të sigurojnë menjëherë të gjithë shumën brenda një viti.

Ndryshe nga shumë tendera të tjerë, ky tender do të zhvillohet në diskrecion të plotë dhe jo përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike. Garda thotë se procedura është sekrete për shkak të sigurisë të personaliteteve të larta, por në fakt e shkuara jep fakte të tjera.

Shumë automjete në vitet e mëparshme edhe pse kanë qenë për funksionarët e lartë janë marrë me tender të hapur. Edhe pse mjaft qeveri, madje dhe ato të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht, kanë shkurtuar ndjeshëm buxhetet për këto lloje shpenzimesh, Shqipëria bën të kundërtën, i rrit ato. Mjafton këtu të kujtojmë rastin e Gjermanisë, ku kancelaria Angela Merkel përdor një automjet të thjeshtë, dhe jo “Jaguar”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: