TIRANE- Maxhoranca tërhiqet nga masa për sekuestrimin dhe nxjerrjen në ankand të banesave të personave që nuk paguajnë faturën e energjisë elektrike. Deputeti Ulsi Manja propozoi në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve, një variant që përjashton familjarët nga ky sanksion. Pra neni 92 për energjinë është riformuluar në pikën “c”.


Teksa sanksioni është hequr për familjarët, është rënduar më shumë për bizneset. Në variantin e fillestar parashikohej që kush kishte 2 milion lekë borxhe ndaj OSHEE i sekuestrohej biznesi, ndërkohë që kjo shumë tashmë është ulur në 1.5 milion lekë.

Ndërkaq për Partinë Demokratike pr/ligji për energjinë është i paligjshëm, sepse nuk bazohet në asnjë standard të marrëdhënieve kontraktuale. Deputeti Shehu tha se tërheqja e mazhorancës nga neni 92 lidhet me fushatën elektorale.

“Ka mundësi të jenë tërhequr pasi fushata elektorale është afër, por është e pamoralshme që të bëhet kjo tërheqje pas këtij debati sepse vetë qeveria e ka miratuar me ndërgjegjie por mesa duket KM shikon ndonjë risk elektoral ose kërkon të përmirësojë diëka nga ajo që nuk kanë bërë për qytetarët. Besoj që është presioni që u bë nga opozita e parlamenti, por të mos harrojmë këtu që përsëri ka futur duart Koço mund të jetë dhe këshilla e Koços që të tërhiqet nga ky nen”, tha Shehu

Varianti i ardhur nga Qeveria
Për të siguruar ekzekutimin e detyrimit të papaguar furnizuesi në përputhje me parashikimet e kontratës, merr masat e mëposhtme: c. Vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 300 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar.

Varianti i ndryshuar nga deputetët e PS
Për të siguruar ekzekutimin e detyrimit të papaguar furnizuesi në përputhje me parashikimet e kontratës, merr masat e mëposhtme: “c” vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 1 500 000 lekë për klientin jofamiljar.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb