TIRANE- Qeveria ka miratuar vendimin që përcakton skemat e shpërndarjes së subvencioneve në bujqësi gjatë këtij viti. Ajo që vihet re është se në krahasim më një vit më parë, fondi i vënë në dispozicion është zvogëluar nga 1.9 miliardë lekë, në 1.6 miliardë lekë.

Ndërkohë që nevoja dhe kërkesa për financim të këtij sektori ka ardhur gjithnjë në rritje sepse konsiderohet si motor i rritjes ekonomike, ai është lënë pas dore edhe për shkak të informalitetit të lartë. Ndërsa skema është e njëjtë me atë të një viti më parë dhe së shpejti pritet të dalë edhe udhëzimi përkatës që përcakton kriteret e sakta.

Kështu, sipas vendimit të qeverisë, fondi do të shkojë për investimet për rritjen e konkurrencës së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut, përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve, prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura; mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; nxitjen e investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve; rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara; nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB). Projektet fituese do të përzgjidhen në bazë të hartës së rajonizimit të miratuar nga Ministria e Bujqësisë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: