Qeveria ka vendosur t’i lërë në dorë Gardës së Republikës punonjësit e institucioneve të vettingut dhe madje edhe objektet ku ushtrojnë aktivitetin. Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave ka marrë këtë vendim “për ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të personelit vendas dhe ndërkombëtar, të objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë, si dhe inspektorit të përgjithshëm të inspektoratit të lartë të deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesave, nga garda e republikës së Shqipërisë”.

Sipas specifikimeve të këtij vendimi Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer), si më poshtë vijon:

– Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
– Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
– Komisionerët Publikë;
– Vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
– Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Po kështu Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe të mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

vkm per garden

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: