Të dhënat fiskale të qeverisë tregojnë se gjatë muajit të fundit të vitit u shpenzuan dy herë më shumë se sa në pjesën tjetër të vitit si dhe rreth 80% e deficitit buxhetor të planifikuar për të gjithë vitin 2018, viti i pestë radhazi me anomali.

Kursi i fortë i lekut dhe importet e pakta të ligjshme të cigareve duket se shkaktuan një deficit në të ardhurat buxhetore në raport me planin prej rreth 100 milionë eurosh. Deficitet më të mëdha u shënuan te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe te akcizat. Të ardhurat nga TVSH duket se janë prekur nga forcimi i shpejtë i lekut kundrejt euros gjatë vitit 2018 pasi shumica e tatimit që grumbullon qeveria vilet në doganë mbi mallrat e importit. Të ardhurat nga akciza duket se ishin më të pakta se sa planifikimi njëkohësisht për shkak të forcimit të lekut ashtu edhe për shkak të rënies së importit të ligjshëm të duhanit. Të dhënat e detajuara të buxhetit nuk janë të publikuara ende nga Ministria e Financave për të gjithë vitin 2018 por të dhënat deri në muajin nëntor, të marra nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregojnë se importi i cigareve ishte në kuotën më të ulët që nga viti 2015.

Në total të ardhurat e buxhetit ishin 449 miliardë lekë gjatë vitit 2018, (afro 3.6 miliardë euro) me një rritje prej 4.4% në krahasim me vitin 2017.

Në krahasim me prodhimin e brendshëm bruto, të ardhurat e buxhetit 2018 ishin sa 27.2% e PBB-së, nga 28.2% që ishin planifikuar. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore ka gjasa që është më i ulët se sa ritmi i rritjes së prodhimit të brendshëm bruto.

Grafik

Por problemi kryesor në buxhetin e vitit të kaluar duket se është shpenzimi në nivele shumë të larta në muajin dhjetor, praktikë kjo që përsëritet çdo vit që nga ardhja e socialistëve në pushtet dhe që është kritikuar gjerësisht nga BSH dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një praktikë e dëmshme për ekonominë dhe që mbart rrezikun për shpenzime me eficiencë të ulët ekonomike.

Kështu, deri në muajin shtator, buxheti i shtetit ishte praktikisht në suficit për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve të rëndësishme, kryesisht në zërin e investimeve publike ndërsa në fund të nëntorit, deficiti ishte vetëm 1.3 miliardë lekë nga 17 miliardë që ishte plani.

Në total, në dhjetor 2018, buxheti shpenzoi 67.2 miliardë lekë përkundrejt shpenzimeve mesatare mujore prej 37 miliardësh për periudhën janar-nëntor.

Kryerja e kaq shumë shpenzimeve njëherësh në dhjetor tregon para së gjithash ecuri të keqe të investimeve publike, të cilat raportohen në bilancin e buxhetit si “shpenzime kapitale”. Investimet publike duhet të kryhen gradualisht dhe të paguhen muaj pas muaji në bazë të situacioneve të punimeve. Por qeveria aktuale duket se ka dështuar në zbatimin normal të programeve të investimeve publike dhe i shlyen faturat në një masë të madhe në dhjetor, duke shkaktuar shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit si dhe për efikasitetin real të këtyre shpenzimeve.

Kështu, nga 78 miliardë lekë shpenzime kapitale të programuara për vitin 2018, 20 miliardë deklarohet se janë shpenzuar në dhjetor ndërsa mesatarja e pjesës tjetër të vitit është vetëm 5 miliardë lekë në muaj.

E njëjta gjë ka ndodhur me zërin tjetër të rëndësishëm, Shpenzimet Operative dhe të Mirëmbajtjes. Këtu përfshihen të gjitha shpenzimet e qeverisë për, fjala vjen, naftë, kancelari apo mirëmbajtje e zakonshme. Në dhjetor u shpenzuan 8.8 miliardë nga 45 miliardë që ishin shpenzimet për të gjithë vitin, ndërkohë që mesatarja e muajve të mëparshëm ishte vetëm 3.3 miliardë lekë.

Luhatshmëria ekstreme e shpenzimeve buxhetore ka krijuar gjatë viteve të fundit shqetësime për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe ecurinë normale të qarkullimit të parasë në ekonomi. Për shkak se buxheti i shtetit ka një peshë të madhe në ekonomi, kur qeveria mban suficit buxhetor për pjesën më të madhe të vitit, masa monetare të qarkullim bie ose qëndron në stanjacion, duke shkaktuar efekt bllokues në qarkullimin ekonomik të vendit./BIRN

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: