TIRANË- Qeveria duket se i ka dhënë fund mosmarrëveshjeve mes ministrive teknike të drejtuara nga PD dhe OSHEE-së që mund ta çonte vendin në krizë energjetike. Këshilli i Ministrave ka autorizuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të blejë energji.

Sipas vendimit të marrë dje në mbledhjen e qeverisë, blerja e energjisë elektrike të bëhet në zbatim të marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, në varësi të nevojave dhe për aq sa e lejon vlera e fondit të akorduar nga kjo marrëveshje huaje.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë si dhe KESH, ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.

Në këtë mënyrë merr fund ngërçi lidhur me përballimin e situatës dhe nevojës për importe. Kjo pasi KESH që kishte në dispozicion 22.4 milionë euro nga Projekti me Bankën Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike, nuk mund t’i përdorte për shkak se vendimi për përdorimin e tyre duhet të kalonte në Këshillin e Ministrave por ministrat teknikë të Partisë Demokratike nuk kishin firmosur asnjë vendim duke lënë pezull autorizimin për KESH.

Por në një reagim të menjëhershëm zv.kryeministrja Ledina Mandija tha se procedura për miratimin e VKM-së ishte jo transparente. Sipas saj, fillimisht VKM u dërgua për miratim pa relacion shpjegues. “Pas kërkimit të relacionit në fjalë, ky u dërgua më vonë, por ishte tërësisht i paqartë në përmbajtje. Konkretisht, nuk kishte analizë të detajuar se përse ishin shteruar rezervat ujore në kaskadë çka diktonte gjendjen emergjente për prekjen e huasë së Bankës Botërore qëllimi parësor i së cilës është rimëkëmbja e sistemit energjetik shqiptar”, deklaronte Mandija.

VENDIM
Nr. 483, datë 5.7.2017
PËR BLERJEN E ENERGJISË ELEKTRIKE NGA SHOQËRIA “KESH”, SH.A., NË ZBATIM TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË LIDHUR NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, NË PËRMBUSHJE TË DETYRIMIT E SHËRBIMIT PUBLIK NË KUSHTET E NJË VITI TË PAFAVORSHËM HIDRIK, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.244, DATË 30.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.170/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike”, dhe të nenit 47, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria “KESH”, sh.a. për përmbushjen e detyrimit të shërbimit
publik ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal në kushtet e një viti të pafavorshëm hidrik. Blerja e energjisë elektrike të bëhet në zbatim të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, në varësi të nevojave dhe për aq sa e lejon vlera e fondit të akorduar nga kjo marrëveshje huaje.

2. Procedura që do ndiqet nga shoqëria “KESH”, sh.a. për blerjen e energjisë elektrike do të jetë në
përputhje me parashikimet e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës
Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të
energjisë elektrike.

3. Në fund të pikës 3, të nenit 5, në tekstin që i bashkëlidhet vendimit nr.244, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Në raste përjashtimore dhe situata të pafavorshme hidrike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë që
sasia e nevojshme e energjisë për përmbushjen e kërkesave të klientëve që përfitojnë nga Shërbimi
Universal i Furnizimit të sigurohet në tregun e parregulluar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga shteti.”.

4. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe shoqëria “KESH”, sh.a. për zbatimin e këtij
vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

[embeddoc url=”https://balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2017/07/Vkm-Nr.-483.-date-5.7.pdf”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: