NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, vlerëson në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” punën që po bën kryeministri Edi Rama. “Rama e bëri politikën dhe qeverisjen të flasë në gjuhën shqipe, ndërkohë ai ka vendosur standardin e arritjes me çdo kusht të objektivave kryesore qeverisëse. Është jashtëzakonisht punëtor. I palodhshëm dhe kërkues llogarie ndaj stafit të vet dhe ministrive”, u shpreh Koçi. I pyetur nëse i ruan kontaktet me zotin Nano, si një nga figurat e hershme siç edhe vetë Koçi është, ai përgjigjet: “Me zotin Nano ka shumë kohë që s’jemi takuar. Mendoj se personalitete politike si Nano duhen respektuar, edhe pse mund të kenë gabuar jo rrallë”.

Zoti Koçi, ju tashmë jeni pjesë e qeverisjes së koalicionit të majtë, prej disa muajsh. Ka kritika nga brenda PS-së për mënyrën se si po qeveriset, nga zoti Ben Blushi, për shembull. Ju vetë si e shikoni punën e qeverisë?
Qeveria edhe pse e paracaktuar në kushte shumë të vështira financiare, ka bërë hapa të sigurt drejt stabilitetit dhe rritjes ekonomike. Mbushja e gropës financiare që ndërtoi me ndërgjegje antikombëtare Berisha ishte problemi numër një pas qershorit 2013. Rendi financiar, urbanistik dhe kriminaliteti i përhapur në industrinë e drogës ishin të tjera sfida që kërkuan investim dhe energji të mëdha. Shpëtimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë për konsumatorët, po ashtu përthithi vëmendje e harxhime qeverisëse. Nuk mund të themi që vendi po lulëzon, por jemi të besueshëm kur themi se poecim në një rrugë të drejtë. Ka edhe shumë për të bërë. Borxhet që ka politika ndaj shoqërisë nuk lahen për dy apo tre vjet. Ndërkohë, shoqëria vetë nuk modernizohet kollaj. As në pak dekada.

Ju jeni një nga aleatët e paktë që jeni “shpërblyer” për kontributin në zgjedhjet e vitit 2013? Ka pakënaqësi nga aleatë të tjerë si zoti Milo, që nuk i është ofruar asgjë në qeverisje. Si e gjykoni këtë sjellje të PS-së me aleatët në përgjithësi, që i mbledh para zgjedhjeve dhe nuk kujtohet pas zgjedhjeve?
Në asnjë rast nuk është konsideruar emërimi im në Ministrinë e Mbrojtjes si zbatim formule koalicioni. Ndërkohë duhet kuptuar që unë si kryetar, por edhe PSV në përgjithësi, edhe pse organizativisht funksionojmë më vete, gjithmonë jemi ndjerë shpirtërisht pjesë e pandarë nga Partia Socialiste, ku ne modestisht kemi kontribuuar. Përsa i përket çështjes së zbatimit të marrëveshjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, natyrisht që ka hapësira, detyrime dhe nevojë që të ecet drejt mirëkuptimit dhe respektimit të dokumenteve politike të nënshkruara. Ky është një obligim që nuk duhet të cenojë formatin ligjor të statusit të nëpunësit civil, por që gjen zbatim vetëm për funksionet politike.

Ju keni qenë në Partinë Socialiste para se sa të vinte zoti Rama. Çfarë ndryshimi ka sjellë zoti Rama krahasuar me drejtimin e zotit Nano?
Rama e bëri politikën dhe qeverisjen të flasë në gjuhën shqipe, ndërkohë ai ka vendosur standardin e arritjes me çdo kusht të objektivave kryesore qeverisës. Është jashtëzakonisht punëtor. I palodhshëm dhe kërkues llogarie ndaj stafit të vet dhe ministrive. Disfavori i Ramës është situata rajonale ekonomike. Situata në Greqi apo Itali është shumë domethënëse për gjendjen social ekonomike të qytetarit shqiptar. Gjatë qeverisë “Nano” të ardhurat nga remitancat ushqenin mirëqenien ekonomike të shqiptarëve pa ndonjë meritë qeverisëse. Rama nga ana tjetër është i gatshëm të sakrifikojë kosto elektorale për hir interesash perspektivë të funksionimit të shtetit dhe strukturës mendore në marrëdhëniet qytetar-shtet, gjë që në qeveritë e mëparshme nuk ka ndodhur në këtë shkallë ndërgjegjeje shtetërore.

A i ruani kontaktet me figura të vjetra që kanë qenë dikur në PS, jo vetëm në parti, por edhe në qeverisjet e saj. Po me zotin Nano, i cili është shfaqur këto ditë sërish në media?
Unë komunikoj me të gjithë ata apo ato figura e personalitete politike socialiste që më lidhin ngjarjet politike, procesi qeverisës, apo bashkëpunimi qeveri- parlament pa dallim brezash. Në përgjithësi unë ndjek parimin e respektimit të çdo personaliteti politik, pavarësisht pikëpamjeve shpeshherë të ndryshme. Miqësitë mes politikanëve nuk duhet të sjellin konflikt interesi, prandaj unë s’e kam tepruar me këto lloj miqësish. Ndërsa me zotin Nano ka shumë kohë që s’jemi takuar. Mendoj se personalitete politike si Nano duhen respektuar, edhe pse mund të kenë gabuar jo rrallë. Nuk më duket se ai është shfaqur në media. E konsideroj më shumë si rendje pas lajmeve që nuk ekzistojnë.

Zoti Koçi, ju keni mbajtur postin e ministrit të Brendshëm në vitet 1998-1999. Si e vlerësoni tani punën e ministrit Saimir Tahiri?
Ministri Tahiri ka demonstruar lidership në rritje. Statistikat flasin për sukses të realizimit të misionit të policisë. Edhe kur në rastin e atentateve dëshpëruese me lëndë shpërthyese pati pikëpyetje në publik për aftësinë e qeverisë për të luftuar krimin, unë jam shprehur i bindur se gjendja do të ndryshonte drejt optimizmit. Dhe ashtu ndodhi. Saimir Tahir është pa diskutim një nga ministrat e suksesshëm të qeverisë “Rama”.

Po flitet shumë sot në Kuvend për procesin e dekriminalizimit. Ju si ish-ministër i Rendit, në atë periudhë a keni dëgjuar për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin?
Unë kam denoncuar i pari politikisht faktin që pas zgjedhjeve të fundit politike në parlament rihynë persona me rekorde të rënda kriminale. Për të evidentuar raste të tilla nuk ka nevojë të jesh ministër i Brendshëm. Me kalimin e viteve të tranzicionit, tendenca e njerëzve të ashtuquajtur të fortë për të hyrë në politike ka ardhur fatkeqësisht në rritje. Sistemi zgjedhor i yni nuk e shmang nevojën e politikës për kategori të tilla. Ardhja aksidentale e PD te teza e dekriminalizimit duhet marrë si rast përfitimi, pavarësisht demagogjisë së rastit. Sepse nëse PD do ishte e sinqertë në ofertën e vet, do t’i duhej të degdiste jashtë radhëve vetë kryetarin Basha, i cili ka në kurriz rekorde të pandëshkuara kriminale.

A mundet që ky proces i pastrimit të parlamentit të realizohet?
Duhet një paketë ndërhyrjesh ligjore që prek Kushtetutën, ligjin zgjedhor, ligjin e partive politike, financimin e partive, ndëshkimin shembullor të shitblerjes së votës etj. E mbi të gjitha, duhen demokraci të brendshme partiake me pushtete të balancuara dhe procese transparente organizative.

Si ju duket puna në Ministrinë e Mbrojtjes? Shohim që jeni shumë aktiv në aktivitetet e kësaj ministrie.
Puna në këtë ministri është një sfidë e re për mua. Detyrimet qeverisëse janë komplekse dhe me standarde të larta. Nën lidershipin e zonjës Kodheli janë ndërmarrë e vazhdojnë të ndërmerren reforma, të cilat rrisin në standardet e NATO-s funksionimin dhe realizimin e misionit të FA. Është një ministri që dallohet nga gatishmëria në radhë të parë, gjë që bie në sy edhe në këto ditë pushimesh për shumë njerëz apo dhe shtetarë. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura thuhet: ‘Gusht e punë!’. Kontributi i Forcave të Armatosura në emergjencat e kësaj periudhe ka qenë dhe mbetet shumë aktiv. Forca të shumta, mjete transporti tokësor dhe ajror, energji organizative janë angazhuar për shuarjen e zjarreve. Anijet tona ushtarake janë në gatishmëri në pikat kryesore të bregdetit për të përballuar çdo emergjencë detare, apo për të kontrolluar hapësirën dhe kufirin tonë detar.

Cili është vlerësimi juaj për procesin gjyqësor që kanë hapur qytetarë të dëmtuar të Gërdecit për të kërkuar dëmshpërblim nga Ministria e Mbrojtjes?
Vlerësimi im për pyetjen tuaj është ky: Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë private e lidershipit politik të saj. Buxheti i mbrojtjes është frut i taksave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Populli shqiptar nuk ka pse paguan qoftë edhe nëpërmjet buxhetit të ministrisë krimet, fajet apo gabimet e individëve të një firme private apo të tjerëve qofshin edhe nëpunës shteti. Dëmshpërblimet për pasojat e Gerdecit duhet t’i paguajnë fajtorët. Drejtësia mbi gjëmën e Gërdecit nuk mund të vendoset në dëm të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: