Analisti Mentor Nazarko komentoi në rubrikën “Opinion”, në Neës24 situatën aktuale politike në vend. Duke u ndalur tek zhvillimet brenda kampit blu, Nazarko tha se Basha është duke shijuar lidershipin e plotë të PD-së pas një periudhe nën hijen e Berishës. Më tej ai tha se kjo “luftë” brenda PD-së ndihmon PS-së pasi Ramës i intereson që kjo situatë të zgjasë pasi zhvendoset vëmendja nga qeverisja dhe problemet e saj.

Sipas tij nëse Berisha zgjidhet në krye të PD-së do të jetë një zhvillim prapakthyes për këtë të fundit pasi ai përdor një retorikë ekstremiste ndonëse mobilizuese për bazën që nuk e tërheq pjesën gri.

“Është një këshillim nga ekspertët e Bashës që për të ngushtuar hendekun e pëlqimeve brenda audiencës demokrate të tregonte forcën dikur. Shpjegimi tjetër është se takimet me përfaqësuesit amerikanë  mund t’i kenë dhënë atij zemër, pra se gëzon mbështetje?. Ka patur një mbështetje dje për Berishën nga Grenell, por qëndrimi amerikan për Berishën është i konsoliduar. Basha e ka ndjerë mungesën e autoritetit . Basha duhet të tregojë jo vetëm me ngritjen e toneve por edhe me veprime të tjera se nuk ka frikë. Basha është i ndjerë në presionin e  Berishës prapa krahëve të vet, në parlament, në vendimmarrje, në politikën e kuadrot, etj. Basha është duke shijuar ndonëse me vuajtje lidershipin e plotë në parti.

Basha po e shijon përplasjen me Ramën në vetën e parë. Janë betejat e të hënave dhe të enjteve që sipas një narrative po ia rrisin profilin politik Bashës.  Pse s’u tërhoq Basha? Basha vuan atë sindromin e Sizifit. Ai do që ta thyejë këtë  shenjë të Zotave. Në zgjedhjet e fundit ai ishte shumë afër fitores nëse do ta kishte filluar më shpejt atë fushatën elektorale propozuese, nëse do dilte me një listë, etj.Në këtë këmbëngulje të tij, ka precedentë rikthimi apo fitoreje pas 8 vjetësh. Edhe Rama u rikonfirmua pas 8 vitesh. Ai e udhëhiqte partinë me një timon ama. Pse vijon Berisha? Berisha do që në këtë pjesë të jetës së tij ta mbyllë sa më mirë, pa njolla, ndërsa vendimi amerikan ishte njëlloj epitafi politik. Ky ngjan një motiv i parë. Grenell me artikullin e fundit është duke e shfajësuar Berishën në bazë të një narrrative të republikanëve  kundër Sorosit, por kjo krijon kontradiktë. Berisha nuk ka një narrativë koherente në mbrojtje të tij. Berisha luan për veten e vet, por luan edhe për atë që ai ka arritur të krijojë gjatë këtyre viteve. Berisha është një grup interesi politko ekonomik që ka pasur peshën e vet në zhvillimet e 30 vjetëve. PD është në një situatë të vështirë. Në këtë kuptim nuk është vetëm Basha në situatë të vështirë. Ramës i intereson që kjo situatë brenda PD të vazhdojë pasi njerëzit po heqin vëmendjen nga qeveria, problemet e saj, konsumimi i një qeverisje 8-vjeçare. Lufta brenda PD-së e ndihmon PS-së. Nëse ky proces do sjellë hapjen apo ndarjen, kjo është pikëpyetje. Basha nuk ka treguar se po e hap partinë. Në rast të një fitoreje ndaj Berishës, ai duhet të hapë partinë. Shans për PD-në që kjo betejë po zhvillohet në fillim të mandatit dhe jo në prag zgjedhjesh. Nëse Berisha zgjidhet do të jetë një zhvillim negativ për PD-në. Ai nuk e ka mundur Ramën në kulmin e fuqisë së tij, edhe kur kishte mbështetjen e amerikanëve. Berisha ka një retorikë që është ekstremiste dhe nuk e tërheq pjesën gri”- tha ai.

Duke folur për zhvillimet nga qeveria, ai tha se kjo qeverisje po vuan nga një krizë financiare.Ndërsa tha se opozita është duke demostruar një cilësi të re, është bërë propozuese dhe ofruar argumentat e saj në mënyrë dinjitoze.

“Është një qeverisje që vuan një lloj krize financiare për shkak të faktit se duket sikur rindërtimi po mbështetet nga fonde të brendshme. Rindërtimi është duke e rënduar buxhetin e shtetit. Debatet në lidhje me borxhin është një gjë e dobishme. Është një situatë e vështirë financiare. Prioritetet do të duhet të ishin riorientuar duke ndalur financimin për disa akse rrugore. Është në qeverisje në vështirësi për të gjetur burime financiare. Opozita është duke demostruar një cilësi të re, është bërë propozuese, masat për TVSH-në, propozimet për situatën e energjisë. Opozita po ofron argumentat e saj në mënyrë dinjitoze. Një mënyrë e shëndoshë të të bërit opozitë”- tha ai.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb