* Veliaj: Edhe pushteti vendor nuk i ka shpëtuar politizimit
* Gjirokastër, Roland Bejko kërkon uljen e taksës vendore me 30%
* Decentralizimi, Ademi: Një analizë na bën të gjithëve mirë, reforma s’realizohet pa bashkëpunim

TIRANE – Kryeministri Rama theksoi sot angazhimin e qeverisë për të lehtësuar përfitimin e shërbimeve publike nga ana e qytetarëve. Gjatë fjalës së tij në konferencën për qeverisjen vendore, shefi i qeverisë tha se shërbimi publik do të futet shumë shpejt në celularin e çdo qytetari.

“U fol për kaosin që do të ndodhte, fundin e botës që do vinte pasi reforma administrativo-territoriale të hynte në fuqi, asnjë komunë nuk e ka humbur asnjë ditë aftësinë për të dhënë shërbime. Por nuk duhet të mbetemi këtu. Shërbimet që japin njësitë tona administrative janë mizerabël. Do ta japim pushtetin vendor si shërbime në celularin e çdo qytetari. Nuk është diçka e pamundur, sepse të tjerët e kanë bërë para nesh. Do ta fusim në celularin e çdo qytetari shërbimin publik, kur vjen puna për certifikata, letra.”- deklaroi Rama.

Duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së pushtetit vendor, Rama theksoi se “qeverisja vendore nuk mund të vazhdojë më të trajtohet si pushtet i decentralizuar për të dhënë kompetenca në letra dhe si pushtet i harruar kur vjen puna që kompetencat të shoqërohen me burime”.

Sipas shefit të qeverisë, reforma administrative është reforma më e thellë dhe më e suksesshme jokonsensuale. “Kërkimi i konsensusit me çdo kusht, duke shkelur çdo vlerë cilësore të produktit nuk është domosdoshmërisht rruga më e mirë”- tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se hapi tjetër i kësaj reforme do të jetë krijimi i rajoneve të zhvillimit.
“Ndarja e Shqipërisë në disa rajone zhvillimi, nënkuptimin e krijimit të poleve të sinergjisë mes bashkive për të siguruar nga njëra anë kapacitete për fonde evropiane, do të na krijojë lehtësira të mëdha dhe ndërveprim shumë më të madh.”- tha Rama.

VELIAJ: KEMI ULUR SHPENZIMET ADMINISTRATIVE

Gjatë fjalës së tij në konferencën për qeverisjen vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj tha se Bashkia po përgatitet për të kaluar buxhetin e parë, ndërsa theksoi se shpenzimet administrative janë ulur ndjeshëm.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, edhe pushteti vendor nuk i ka shpëtuar politizimit.

DECENTRALIZIMI, ADEMI: NJË ANALIZË NA BËN TË GJITHËVE MIRË, REFORMA S’REALIZOHET PA BASHKËPUNIM
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi është shprehur pro një analizë të të gjithë situatës në vend dhe nevojave sipas njësive vendore. Sipas Ademit, kjo analizë do të ishte pozitive për të gjithë drejtuesit vendorë.
“Një reformë nuk realizohet pa bashkëpunim”, tha Ademi. Kryebashkiakja e Shkodrës theksoi gjithashtu se procesi i dekriminalizimit është me shumë rëndësi për vendorët dhe mbarë vendin.

GJIROKASTËR, ROLAND BEJKO KËRKON ULJEN E TAKSËS VENDORE ME 30%
Kreu i Bashkisë së Gjirokastër Roland Bejko ka kërkuar uljen e taksës vendore me 30%. Sipas tij, biznesi në Gjirokastër përballet me vështirësi dhe si pasojë ka rënie të fuqisë blerëse. Bejko tha se shkak për këtë situatë është bërë edhe infrastruktura e dobët dhe presioni.
Më tej, Bejko tha se muajt e fundit shumë biznese në këtë qytet kanë mbyllur aktivitetin.

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: