TIRANE- Ministra e deputetë socialistë janë dakord për t’u dhënë të drejtën e votës emigrantëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, por edhe për ngritjen e një ministrie të Diasporës, siç ata e kanë kërkuar. E drejta e votës ka qenë edhe një nga premtimet e socialistëve kur morën pushtetin, ndërsa krijimi i një ministrie për Diasporën ka qenë një kërkesë e përsëritur ditët e fundit nga një grup shoqatash shqiptare që veprojnë në Itali, të cilat zhvilluan takime me Presidentin Bujar Nishani e kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e pyetur dje tha se “diaspora vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme për një vend ku është emigruar këto vitet e fundit dhe unë besoj se propozimi do të konsiderohet me seriozitetin që i takon diasporës shqiptare, që ka ndihmuar kaq shumë që vendi të përparojë, familjet e tyre të përparojnë dhe besoj që është një zë i rëndësishëm edhe për zhvillimet brenda vendit. Edhe për të drejtën e votës po ashtu”, – u shpreh Kodheli për “ABC News”.

Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi deklaroi për këtë çështje se, “nuk di të them duhet ministri apo jo, por institucionet më të forta që mendojnë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë tashmë duhet ta kenë në vëmendje që të mos trajtohen më si emigrantë, por të trajtohen si mendje, të trajtohen si njerëz që punojnë për Shqipërinë”. Madje Klosi theksoi se “konceptit të emigracionit i ka kaluar koha”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e pyetur për mundësinë e krijimit të një ministrie të Diasporës tha: “Edhe pse sigurisht vëmendja e qeverisë nuk ka munguar për diasporën, politikat dhe programet në të gjitha ministritë kanë në fokusin e tyre punën me diasporën, sigurisht që është një propozim që duhet shikuar”. Sa i përket të drejtës së votës, ajo tha: “Po, patjetër. Ka qenë një nga propozimet e Partisë Socialiste, kështu që patjetër shkon me të njëjtën koherencë”.

DEPUTETËT E PS
Edhe deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi shprehet dakord me këtë kërkesë të shoqatave të diasporës. “Duke pasur parasysh se sa shqiptarë janë jashtë, pse jo? Por, duhet pasur parasysh se këto janë në programet që ka qeverisja”, tha ai.

I pyetur në lidhje me votën e emigrantëve, deputeti Fatmir Toçi tha: “Është një premtim që me sa di unë, është në proces. Shpresojmë që të arrijmë në kohë në zgjedhjet e ardhshme”. Nga ana e saj, deputetja e Shkodrës, Mimoza Hafizi, e pyetur nga gazetarët u shpreh se.
“çështja e diasporës është një çështje shumë e rëndësishme, por nuk e di a duhet një ministri e veçantë apo duhet të jetë e shpërndarë sipas tematikës”. Por, sipas saj, “e drejta e votës është absolutisht një e drejtë e tyre dhe duhet të bëhen përpjekje maksimale për ta realizuar, por dihet që ka vështirësi të mëdha teknike. Do ishte shumë mirë që ta realizonim në zgjedhjet e 2017”. Pak ditë më parë, grupi që përfaqësonte rreth 40 shoqata shqiptare në Itali, i përfaqësuar nga Roland Jaçe, i paraqiti kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta aktmarrëveshjen ku përmbahen kërkesat e tyre, për të qenë pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Kjo aktmarrëveshje parashikon ushtrimin e të drejtës së votës për emigrantët, forcimin e identitetit shqiptar lidhur me brezat e rinj që rriten jashtë atdheut.

“Mendojmë se ndoshta Ministria e Integrimit do të pasurohet akoma më shumë, duke pasur brenda saj edhe një aspekt shumë të konsiderueshëm, pra duke u bërë Ministria e Diasporës dhe e Integrimit”, – ishte një nga propozimet e Jaçes. Ndërsa kreu i Kuvendit i mbështeti kërkesat e tyre.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: