Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Hoti në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit tha se bota e dinë mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, kush ka qenë agresori e kush viktima.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, i nderojmë me pietet të gjithë civilët e pafajshëm, kudo në botë.
Sot, si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99.

Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar.

Duke e mbajtur përherë në kujtesë, tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb