Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar nga detyra dy inspektorë të Drejtorisë Rajonale Tiranë, pas publikimit të skandalit me qofte nga emisioni “Fiks fare”.

Dy inspektorët e pezulluar Etrit Berisha dhe Indrit Korbi dyshohet se kanë shkelur ligjin duke favorizuar firmat që prodhonin qofte me stomak pule, dhjam derri dhe përbërës të tjerë dhe jo mish viçi siç deklarohej. Gjithashtu është ngritur Komisioni Disiplinor për fillimin e procedurave ligjore për largimin nga Shërbimi Civil, për të dy punonjësit.

Të dy ketë inspektorë akuzohen për shkelje të rënda si:

1. Shkelje shumë të rënda ligjore që konsistojnë në, moszbatimi haptazi i dispozitave ligjore, për përmbushjen e detyrave funksionale, parashikuar nga neni 57, pika 2, gërma c, e ligjit 152/2013 “Për Nëpunësit Civili”, i ndryshuar.

2. Përfitimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat jepen për shkak të detyrës, shkelje të cilat kanë sjellë pasoja shumë të rënda në uljen e imazhit të institucionit, parashikuar nga neni 57, pika 2, germa d, e ligjit 152/2013 “Për Nëpunësit Civili”, i ndryshuar.

3. Shkelja e rregullave të Kodit të Etikës së inspektorit.
Pezullimi nga detyra i të dy inspektorëve është bërë për t’i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme nga organet kompetente.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se është i vendosur për të dënuar çdo akt të shpërdorimit të detyrës nga punonjësit e vet, duke mos toleruar asnjë rast tentative abuzimi me detyrën apo abuzimi që cenon rëndë imazhin e institucionit dhe garantimin e sigurisë ushqimore. Për këtë arsye AKU fton qytetarët dhe mediat për të denoncuar çdo rast abuzimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: